Një ton marijuanë për një vlerë rreth 10 milionë euro, dy arrestime në ujërat italiane dhe tre të tjera në zonën shqiptare. Ky është bilanci i një operacioni të zhvilluar dje në ujërat shqiptaro-italine. Së fundmi në mediat italine kanë dalë edhe pamjet e velierës që drejtohej nga dy ukrainas të cilët u arrestuan pasi shkëmbyen drogën me shqiptarët.
Droga ishte e ndarë në 153 pako të përmasave të ndryshme. Droga u soll nga shqiptarët rreth 13 milje larg bregdetit shqiptar, ku tre skafe të mbushur plot ngarkuan drogën në velierën e ukrainasve.
Policia e Vlorës ka arrestuar në flagrancë 3 vlonjatët Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi, 19 vjeç.
Ndërsa Guardia di Finanza, në ujërat italiane ka arrestuar në flagrancë dy shtetasit ukrainas Bychkovi Serhii , 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç.
Aksioni është zhvilluar ditën e djeshme, kur 3 vlonjatët rreth orës 15:00 kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.
Në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike ka ndërhyrë Guardia di Finanza.