Me thirrjet “Poshtë dikaktura dhe kriminelët”, protestuesit para Ministrisë së Brendshme janë përplasur me forcat e policisë së shtetit. Demostruesit kanë thyer kordonin e policisë të vendosur para godinës së Ministrisë së Brendshme ndërsa situata vijon ende të jetë e përshkallëzuar.
Protesta “ Nuk e vrau varka, por shteti” është organizuar nga shoqëria civile pas vrasjes së vogëlushes Jonada Avdia nga polici Arjon Tase, i cili po drejtonte një mjet lundrues tip skaf në bregdetin e Potasit.
Vogëlushja po kalonte pushimet së bashku me familjen në Himarë në momentin e tragjedisë kur u godit për vdekje nga skafi “vrasës” i drejtuar nga polici Tase.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro dhe kryepolicit, Gledis Nano.