“Nuk e vrau varka, por shteti”, është protesta e organizuar nga shoqëria civile për vrasjen e vogëlushes Jonada Avdia, para Ministrisë së Brendshme, ku përmes së cilës kërkohet dorëheqja e kreut të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ministres Mirela Kumbaro dhe ministrit Bledi Çuçi.
Demostrata e organizuar për vdekjen e 7-vjeçares, Jonada Avdia para Ministrisë së Brendshme do të mbledhë dhe të rinjtë e FRPD-së, përpos përfaqësuesve nga forcat e ndryshme politike si Partia e Lirisë dhe Partia Demokratike.
Në një dalje për mediat, të rinjtë e FRPD-së, u shprehen se vrasja e vogëlushes Jonada Avdiu nga skafi i drejtuar nga efektivi Arjan Tase ishte një këmbanë alarmi për të gjithë shqiptarët për sigurinë e fëmijëve të tyre.
Ata rikthyen gjithashtu në vëmendje vrasjen e të riut Klodjan Rasha nga efektivi i “Shqiponjave”, Nevaldo Hajdaraj. Të rinjtë gjithashtu i kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë.
“Unë jam Klea Vukaj, 17 vjeçe, gjimnaziste.
Klodian Rasha kishte moshën time kur u vra nga dora e një polici. Mendoj se flas për çdo të ri shqiptar kur them se se me vrasjene e tij u lënduan, u trembën, të gjithë të rinjtë e Shqipërisë.
Me vrasjen e Jonadës 7 vjeçare u vranë, u lënduan dhe u trembën dyfish.
U shpreh ngushëllimet e mia prej, motre dhe bije, Ermirës dhe Bledarit, prindërve të Jonadës. Të mbahen të fortë sepse e gjithë Shqipëria është me ta sot.
Shihemi në protestë në ora 19.00”
“Unë jam Xhuljan Guçe, 26 vjeç
Moshatarët e mi në Europë dalin në protesta për ndotjen e mjedisit, javën 4 ditëshe të punës e të drejta të tjera. Prej disa vitesh të rinjtë e Shqipërisë ngrihen në mbrojtje të së drejtës më elementare të njeriut: asaj të jetës. Kemi dalë në rrugë për vrasjen e Ardit Gjoklajt, Emanuel Ndojt, Klodian Rashës. Sonte dalim për vrasjen e Jonadës 7 vjeçare.
Deri kur më kështu?!”
“Unë jam Nikolin Çali, 26 vjeç
E kam pyetur veten, dje edhe sot, dhe nuk gjej përgjigje: Çfarë imazhi i jep shtetit dhe policisë një komisar me një skaf 600 kubikësh? Ku e merr guximin që të vijë deri në breg dhe të bëjë manovra? Si ka mundësi që ka dashur të ikë pasi vrau një fëmijë? Pse nuk e jep dorëheqjen ministri i Brendshëm?
E di që asgjë nga këto nuk e kthen Jonadën, por e bën shtetin të duket më njerëzor dhe na bën ne të ndihemi të trajtuar si njerëz”.
“Unë jam Megi Balliu, 28 vjeçe
Fëmijët e nënave shqiptare, janë sot më të pasigurt pas vrasjes së Joandës.
Do të vazhdojmë të jemi të pasigurt edhe sot e nesër, nëse nuk e nxjerrim të plotë mësimin nga pësimi tragjik i familjes Avdia.
Si bijë, motër dhe si qytetare, i kërkoj llogari këtij shteti dhe i jap solidaritetin tim Ermirës, së ëmës së Jonadës, dhe Bledarit, të atit.
Një burri që u ul në gjunjë para trupit të pajetë të së bijës.
Ky është alarmi final, të dashur shqiptarë. Ne jemi në gjunjë para shtetit. Ai na godet, dhunon dhe vret, dhe ne zemërohemi në Facebook për pak ditë. Pastaj biem në gjumë, deri kur një familjeje tjetër shqiptare, i troket morti në derë.
Ejani sonte në ora 19.00 në protestë. Tregojini kraharorin e bashkimit këtij pushteti burracakësh.
Ngrihuni në këmbë! Në solidaritet me Jonadën dhe prindërit e saj.
Në solidaritet me fëmijët e Shqipërisë!”.