Vijon reagimi i zyrtarëve dhe trupave diplomatike përsa i përket situatës së trazuar në veri të Kosovës. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier ka thënë se SHBA e mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit.
Përmes një postimi në Twitter, Hovenier ka thënë se këto dy masa janë në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel dhe se të njëjtat ishin të koordinuara me ndërkombëtarët.
“SHBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, ka shkruar Hovenier.
Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe.
Praktikë të njëjtë Serbia ka aplikuar ndaj qytetarëve të Kosovës për vite me radhë. Ndërkaq, vendimi i dytë parasheh që të gjithë pronarët e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, të mund të riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS (Republika e Kosovës).