Pas Partisë Demokratike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar sot Prokurorisë së Përgjithshme të fillojë hetimet për të verifikuar të shkuarën e Kryetarit të Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi.
Kjo kërkesë vjen pas akuzave se kryetari i Bashkisë Divjakë ka qenë i përfshirë në veprimtari kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore.
Sjellim në kujtesë që kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi e cilësoi shpifje akuzën e PD-së, se ai rezulton i dënuar në Itali për prostitucion.
“Jo nuk ekziston asnjë lloj akuze e tillë ndaj meje. Kjo kërkesë ka një prapavijë tjetër. Kjo vjen për shkak se unë kam vendosur që pronat e plazhit. Këta kërkojnë që të më fusin në trysni që unë të lejoj grabitjen e pronave. Kjo vjen për shkak të pronave të plazhit, sepse unë nuk i kam lejuar të bëjnë gjë. Në këtë rast bëjnë autogol sepse është vetë grupi parlamentar i 4 vjeçarit më parë që ngriti të njëjtën akuzë ndaj meje por ishte vendimi i prokurorit të Përgjithshëm që më nxorri të pafajshëm dhe se akuzat nuk kishin fare lidhje me mua”– u shpreh Kokoneshi.