Dy 29-vjeçarë shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë në Itali, pasi merreshin me trafik droge. Sipas mediave italiane, policët në Savona arrestuan një banakier nga Loano, i cili fshihte drogën në një magazinë të aktivitetit tregtar. Ai akuzohet për shpërndarje të lëndëve narkotike në zonat publike. Po ashtu u arrestua edhe një koleg i tij që ndodhej në lokal pa kontratë. Ky i fundit akuzohet vetëm për rezistencë ndaj policisë. Arrestimet erdhën në kuadër të aktivitetit policor për parandalimin e trafikut të drogës.
Policët kishin vënë re për ditë të tëra një vajtje-ardhje të pazakontë të trafikantëve në lokal dhe kishin dyshime kur shihnin një punonjës që shkonte lart e zbriste me një frekuencë të pashpjegueshme në një dhomë nëntokësore ngjitur me lokalin, e përdorur si depozitë pa marrë asgjë të dobishme. Gjatë mbrëmjes së djeshme policia ushtroi një kontroll dhe gjeti thuajse 100 gramë marijuanë, 100 të tjera Mdma, 5 gramë kokainë të fshehura në një raft.