Ka zgjatur rreth 20 minuta ceremonia e betimit të Presidentit të ri të Shqipërisë, Bajram Begaj në Kuvend.
Pas një fjalimi të shkurtër për t’iu drejtuar popullit, ku bëri thirrje për unitet dhe heqjen e vëmendjes nga ndasitë politike, Begaj nën shoqërimin e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla i është drejtuar Bulevardit Dëshmorët e Kombit.
Begaj sapo ka mbërritur në godinën e Presidencës, ku edhe do t’i dorëzohet zyrtarisht detyra nga Presidenti në detyrë Ilir Meta.
Bajram Begaj do të jetë kreu i ri shtetit për 5 vitet e ardhshme. Presidenti i 8-të i Republikës së Shqipërisë në Pluralizëm.
Pas Alfred Moisiut, ai është kreu i dytë i shtetit që vjen nga Forcat e Armatosura.
Bajram Begaj ka shërbyer 31 vite në ushtri, ndërsa ka përfunduar studimet ushtarake si dhe një sërë specialitetesh të tjera, duke u emëruar edhe shef i Shtabit të Forcave të Armatosura në 29 korrik të vitit 2020.
Më 3 korrik të atij viti ai ka marrë edhe gradën gjeneral major me dekret të Ilir Metës, i cili këtë dielë i liron e zyrën e Presidentit.
Më gradën Gjeneral, Begaj ka lindur në 20 mars 1967 dhe është i lindur në qytetin e Rrogozhinës.
Para marrjes së rolit të shefit të shtabit ai shërbeu si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.
Po ashtu ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998.
Bajram Begaj mori besimin e 78 deputetëve, nga 83 deputetë të pranishëm në votimin e 4 qershorit.