Një ditë para dorëzimit të mandatit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta ka postuar në Facebook detaje nga vizita e tij në Kosovë ditën e djeshme ku ndër të tjera takoi dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Meta shkruan në Facebook se Kosova ka hedhur themele të forta e të qëndrueshme të shtetndërtimit dhe sipas tij Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë.
Postimi:
Një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Kënaqësi të ndaja vlerësimet për përparimin e gjithëanshëm të Kosovës, që gjithmonë e më shumë po konsolidohet si faktor paqeje, sigurie, stabiliteti, demokratizimi dhe europianizmi në rajon.
Kosova ka hedhur themele të forta e të qëndrueshme të shtetndërtimit, duke përqafuar vlerat dhe parimet më të larta demokratike, respektin për liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, mbrojtjen më sipërore të pakicave, e përkushtuar për funksionimin e demokracisë parlamentare, që respekton parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve, që synon sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
Shqipëria duhet të marrë shembull nga ushtrimi i demokracisë në Kosovë, në veçanti se si llogaridhënia qeverisëse sigurohet përmes institucionit më jetik të demokracisë përfaqësuese, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Me rëndësi për forcimin e gjithëanshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve tona, konkretizimi me nisma ligjore të marrëveshjeve ndërqeveritare.
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë.