Kryeministrit Edi Rama ende po feston çeljen e negociatave me BE-në, pas ceremonisë në Kryeministri pritet që kreu i qeverisë të mbyllë sezonin e pushimeve me një manifestim në sheshin “Skëndërbej”, ku pritet të mbledhë mbështetësit e tij.
Bëhet me dije se instruksionet për këtë organizim janë dhënë në takimin djeshëm të Ramës me drejtuesit e rinj të degëve të Partisë Socialiste.
Kryeministri ka lënë porosi për organizimin e një manifestimi të madh që pritet të mbahet më datë 28 korrik në orën 19:00. Pas takimit me Ramën drejtuesit politik të qarqeve kanë zhvilluar takime informale me kryetarët e degëve, ku u kanë lënë porosi që të mbledhin sa më shumë qytetarë në manifestim.
Kjo lëvizje e Ramës vjen 4 ditë pas largimit të Presidentit Ilir Meta nga posti i Kreut të Shtetit që e mbajti për plot 5 vite, por edhe pas protestës së 7 korrikut, ku opozita e drejtuar nga kryedemokrati Sali Berisha mblodhi një numër të madh qytetarësh.