Është shoqëruar me përplasje, mbledhja e 24 deputetëve demokratë gjatë ditës së djeshme në një lokal të Tiranës. Ndërkohë që deputetët Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj u shprehën pro ish-kryedemokratit Lulzim Basha, Flutura Açka nuk ndau të njëjtin qëndrim gjatë mbledhjes. Deputetja Açka tha se nuk e ndjente veten “bashiste” dhe se kurrë nuk e ka ndjerë.
Debati në mbledhje
Lefter Geshtenja: Këtë takim e kam incuar së bashku me Flamurin, për të folur hapur, për të pirë një kafe, dhe për të diskutuar me njeri tjetrin, të ardhmen e grupit, dhe çfarë shkon mirë apo keq. Kam ftuar 34 deputete, nga 35, dhe nuk kam ftuar Lulzim Bashën, për shkak se disa kolegë ma vendosën kusht që nëse do të ishte Basha, ne nuk do te vinim ketu.
Ferdinand Xhaferraj: Duhet të bëjmë një grup drejtues me 3 ose 5 veta, dhe të shkojmë në zgjedhjet vendore. Pra që ne ti besojmë gjithë vendimarrjen. Une e kam deklaruar se jam pjesë e grupit këtu, për shkak se nuk jam me Sali Berishën, sepse Shqipëria nuk ka të ardhme me Berishën.
Dhurata Çupi: Mbledhja e grupit bashkë dhe diskutimi hapur me njeri-tjetrin, çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon është shumë e mirë si ide. Kemi kaluar një vit të vështirë politik me dilema me veten. Debate me ndërgjegjen a po bëjmë më të mirën me këto qëndrime. Dhe jemi përballur shumë me keto qëndrime. Një gjë jam e binduar që kështu siç jemi deri sot nuk jemi mire si grup. Të flasim hapur dhe të gjejmë zgjidhjen më të mirë. Ne bëjmë opozitë të vazhdueshme në Kuvend të gjithë dhe duhet ta mbajmë këtë qëndrim edhe në vazhdim.
Helidon Bushati: Padyshim pjesë e Partisë Demorkatike do duhet të jetë gjithkush që ka kontribuar dhe ka dhënë për këtë forcë potlike, madje e kemi hapjen nevoje urgjente. Padyshim që ne si grup do duhet të jemi të hapur ndaj cdo demokrati, ndaj çdo kontribuesi në cdo nivel. Por një gje duhet ta themi qartë dhe të jemi të vendosur, e kjo është për të mirën e Partisë Demorkratike. Duhet të shkëputemi nga çdo sinjal dhe të jemi të qartë se askush nga ne nuk luan lojën apo është pro rikthimit të Lulzim Bashës, në krye të PD-së.
Padyshim ai ka kontribuar, do duhet të vazhdojë të jepje kontributin e tij, por kapitullin për drejtimin e saj e ka mbyll me dorëheqjen e tij. Në kushtet kur në opinionin publik perceptohemi me pa të drejtë si deputetë të Lulizm Bashes mendoj që secili nga ne duhet të shprehë qëndrimin e tij në lidhje me aspiratat për rikthim në krye të PD te Lulzim Bashes. Grupi duhet të krijojë fizionominë e tij si grup dhe të fillojë një aksion të koordinuar politik kundër qeverisë dhe Ed Rames. Për këtë ka nevojë që të kalojmë nga një grup parlamentar që është pak a shume i sheshtë në një grup normal parlamentar, me sistem piramidal që të koordinojë dhe organizojë punën e grupit dhe aksionin politik.
Saimir Korreshi: Doni të ndërmerrni akte? Marrim akte. E para, të njohim me akt Enkelejd Alibeajn si kreun e Grupit Parlamentar të PD-së. Të dalim me akt publik dhe të themi që Lulzim Basha nuk vjen më në krye të PD. Lulzim Basha nuk shihet nga ky grup si drejtues në të ardhmen. Si deputet e ka të drejtën e vet të jetë. Nuk duhet në quhemi grupi i Lulzim Bashes sepse nuk jemi
Të ngremë një grup pune që të negociojmë me palën tjetër. Na duhet bashkimi i demokratëve. Të zhbëhen të gjitha proceset e deritanishme që ka ndërmarrë pala tjetër. Të gjejmë kandidatë konsensuale për zgjedhjet e ardhshme vendore. Nuk duhet të dalim me 2 kandidatë.
Grida Duma: Erdha në respekt të dy kolegëve që na ftuan për kafe, për qetësinë dhe integritetin e paqtë të tyre. Erdha po ashtu me vëmendjen për t’ju dëgjuar, e madje pres që këtu të flasë qartë kryetari i grupit, sepse ajo që ka marrë përsipër të bëjë ai, pas “hapit pas” të ish kryetarit, është e madhe por po ashtu sfidë që kerkonte qartësi politike. Asgjë nuk ka ecur si duhej!
Sot po jua them të gjithëve, sepse erdha për të qenë e hapur, atë që i thashë kryetarit të grupit edhe veçmas që në fillesë; distancohu publikisht nga ish kryetari dhe deklaro që nuk je nën hyqmin e tij, përndryshe do të jetë e dëmshme për ty vetë e për këdo tjetër që mban këtë qëndrim. Përpos kësaj i kam kërkuar të ngrihet menjëherë, menjëherë, një grup përfaqësues i PD dhe të bëhet një dialog i hapur me demokratët kudo nëpër Shqipëri. Kurrë nuk u dol të flitet me demokratët hapur dhe pa doreza, si ndodhën ngjarjet dhe çfarë na pret në këto kushte. Asnjëra nga këto nuk u bë!
Unë nuk kam asnjë kërkesë dhe asnjë kusht sepse i kam thënë qëndrimet e mia publikisht dhe më shumë se në tavolina të vogla kam qenë e qartë që njoh realitetin politik dhe po ju theksoj kolegë që kjo që po bëni nuk është politikë por një zhdukje e kontributit të këtyre grave dhe burrave këtu që kanë sakrifikuar dhe nuk i trajtoni dot formalisht sepse ska asnjë vlerë formalja me. Ne kemi një detyrim ndaj atyre që na kanë votuar, ata qe na kanë votuar duan të fitojnë dhe të vijmë në pushtet. Përveç të tjerave juve ju rëndon dhe ju pengon, juve jo mua, që konsideroheni se po bëni lojën e rikthimit të njërit që s’është, në një parti që do mbetet e vogel pas vulës.
Nëse nuk hiqni këtë ngarkesë mit apo këtë perceptim nuk do ngriheni dot. Nuk është çështja se ç’bën ai që do të rikthehet, sepse në fakt është jashtë politike, por çështja është se si ju nga demokratët dhe publiku shiheni se po ju përdor dikush. Vetem kur të jeni të lirë nga kjo përdorje mund të ndërtoni politikisht, ndryshe vetëm do të dëmtoni.
Flutura Açka: Ky grup nuk mund të rrijë bashkë në kushtet e mungesës së sinqerietit dhe mirëkuptimit të plotë. Eshtë krijuar përshtypje brenda grupit, por edhe jashtë, se këtu është një celulë që punon vetëm për kthimin e Bashës, madje qarkullojnë edhe emrat se cilët janë. Duke bërë këtë, përfshijnë në aksionin e tyre pa dashje edhe pjesën tjetër të grupit, që është cilësuar si bashkëpunëtorë të Bashës. Vetë jam e lodhur duke u thirrur e duke lexuar për veten si bashiste. Une nuk bëj pjesë aty, opinionin tim dhe idetë e mia i kam bërë të qarta.
Nëse edhe ky grup që e mban këtë stigmë nuk hapet dhe ta bëjë të qartë pozicionin e tij, do t’i shërbejë vetëm ndarjes së grupit dhe skizma do të shkojë deri në fund. E kam mbrojtur zotin Basha për disa muaj në vendimin e tij, e bindur se e drejta ishte me të, por nuk e bënë të gjjthe, duke qenë të mirë me të gjithë. E kam vlerësuar dhe e kam besuar si të sinqertë dorëheqjen e zotit Basha, dhe nëse pas saj punohet për rikthimin e tij nga grupe të vogla të caktuara, duke krijuar ishuj në grup, me qëndrime as mish as peshk dhe pa aksione të qarta politike, une do të ndiej nevojën të distancohem. Qëndrimet duhet të jenë të qarta dhe publike, të tilla që nuk fyejnë askend, por i shërbejnë unifikimit dhe demokratëve që presin nga ne. Unë nuk dua të jem e përdorur. Nëse do ta ndiej këtë, do të vendos për një qasje tjetër politike për veten.
Kur dola nga zyra e Lulzim Bashës, pasi më propozoi për të qenë deputete, pashë në korridore të njëjtët njerëz që i rrinë Sali Berishës. Aty mendova se Sali Berisha nuk ka ikur kurrë nga PD, se PD-në e drejton ende Sali Berisha. Unë kam marrë shumë kosto gjatë kësaj kohe. Ajo që nuk fal kurrë janë komentet për djalin tim. Kam menduar të jap dorëheqjen pas atij momenti. Por nuk e bëra sepse kisha detyrime ndaj votuesve dhe demokratëve.
Enkelejd Alibeaj: Une jam rritur i persekutuar dhe e di çfarë do të thotë ti kthesh kurrizin tjetrit. Une nuk i kthej kurrizin Lulzim Bashes. Ne kemi bërë opozitë. Lulzim Basha nuk ka efekt dhe impakt tek grupi ynë. Ai ka dhënë dorëheqjen.
Tomor Alizoti: Kundërshtari i këtij grupi parlamantar është Basha e jo Berisha. Berisha ka zgjedhur rrugën e tij ka ndërtuar strukturën e tij, mbi këtë grup bie hija e Bashes. Pa ndërmarrë një akt politik ku grupi parlamentar nuk e pranon rikthimin e Bashes si kryetar, nëse ky grup vazhdon në këtë rrugëtim politik është drejt asgjësimit. Në politikë nuk gjykohet me emocion por me arsye, faktorët politikë i zgjedh terreni. Berisha është realitet politik duhet gjetur menyra komunikim me të. Nëse ky grup nuk distancohet nga Basha une madje as për një takim të tille e kushtezoj veten. Finalizimi duhet të jetë bashkimi i demokratëve.
Gazment Bardhi: Ne nuk jemi mbedhur këtu për të shpallur armik Lulzim Bashën, jemi mbledhur për qejf. Edhe vete Berisha nuk po e permend më. Unë nuk e mohoj që kontaktoj me Lulzim Bashën, sepse nuk ka asgje, qe une ta shpall armik Bashën, siç bënë disa këtu prej 4 oresh. Kjo duket e inskenuar per konsumim mediatik, pasi vetë Sali Berisha nuk e përmend më Lulzim Bashën.
DEPUTETËT E PRANISHËM
Kreshnik Çollaku
Gazment Bardhi
Dhurata Çupi
Helidon Bushati
Andia Ulliri
Ervin Salianji
Bledjon Nallbati
Arbi Agalliu
Lefter Geshtenja
Flamur Hoxha
Eralda Bano
Merita Bakiu
Kastriot Piroli
Ferdinand Xhaferraj
Emilia Koliqi
Seladin Jakupllari
Zheni Gjergji
Dashnor Sula
Grida Duma
Orjola Pampuri
Enkelejd Alibeaj
Flutura Açka
Tomor Alizoti
Saimir Korreshi