Një 30-vjeçar shqiptar është dënuar me punë për komunitetin në Angli pasi është kapur në një fermë kanabisi në Banbury. Bëhet fjalë për Mateo Dedej i cili i ishte futur kultivimit të kanabisit pasi humbi punën si shef kuzhine në një prej restoranteve të Londrës gjatë periudhës së pandemisë.
Përpara gjykatës Dedej u justifikua se ai ishte vendosur në kërkim të një pune dhe se u kërcënua nga gangsterët e drogës që të merrej me kultivimin e bimëve narkotike. Por, sipas mediave angleze, Dedej fitonte 120 paund në ditë nga kultivimi i drogës.
“Ata kërcënojnë njerëzit dhe i mbajnë të punojnë nën presion duke i shfrytëzuar ndërsa u japin vetëm ushqime dhe asnjë para në këmbim” kishte deklaruar Dedej në polici pas arrestimit të tij në 12 maj.
Gjatë operacionit të policisë, 30-vjeçari shqiptar tentoi të largohej nga dera e pasme e fermës së kanabisit por u vendos në pranga nga policia, e cila sekuestroi edhe rreth 3.5 kg drogë.
Droga kapte vlerën e 18 mijë paundëve nëse do të trafikohej, por mund të kishte vlerën 45 mijë paundëve nëse vendosej për t’u shitur në rrugë. I riu shqiptar kishte emigruar që në moshën 9-vjeçare drejt Italisë dhe pasi kishte përfunduar shkollën ai ishte trajnuar për t’u bërë kuzhinier dhe më pas shef kuzhine në Angli ku hyri edhe ilegalisht. Dedej u dënua me 15 muaj burg që iu konvertuan në 100 orë punë pa pagesë në shërbim të komunitetit.