Anri Kashiku vetëm 18- vjeç i cili sakrifikoi jetën e tij pasi shpëtoi nga mbytja vëllain e tij dhe një shok, është shpallur Dëshmor i Atdheut.
Certifikata i është dorëzuar sot babait të 18-vjeçarit hero nga kryeministri Edi Rama. Rama vizitoi familjen e të ndjerit ditën e sotme, i shoqëruar nga ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro.
“Ngushëllime. Në familjen e Anri Kashikut, heroit që dha jetën e vet për të shpëtuar dy jetë, vëllain e vogël dhe shokun e tij“, kështu shkruan kryeministri bashkangjitur videos së publikuar ne Facebook.
Ngjarja
18-vjeçari hero Anri Kashiku humbi jetën ditën e djeshme teksa tentoi të shpëtojë vëllain dhe një shokun e tij që po rrezikonin të mbyteshin. Ai arriti të shpëtonte dy jetë, por vetë nuk mundi të dalë i gjallë në Bishtë Pallë të Durrësit. Mes lotësh, të afërmit dhe fqinjët shprehin ngushëllimet për ngjarjen e rëndë. Të shokuar nga ajo që ka ndodhur, ata vlerësojnë aktin e tij heroik, ndërsa luten që Zoti t’u japë forcë prindërve. Një fqinje e përshkruan atë si djalë të urtë dhe se këtë vit kishte mbaruar gjimnazin.