Ditën e sotme është mbledhur sërish Komisioni i Rregullores dhe Mandateve për të shqyrtuar mandatin e ministres dhe deputetes Olta Xhaçka.
Ministrja nuk është paraqitur as sot në Komision, ndërsa është përfaqësuar nga avokati i saj. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj u shpreh se “të ikësh me bisht ndër shalë”, nuk është pjesë e rregullores.
“Seancën e kaluar, siç unë e kisha kërkuar duhet të operonim me dëgjesën e zonjës ministre. E thirrët zonjën Xhaçka, ka të drejtën e saj që të përfaqësohet nga një avokat. Kur jepet e drejta për të dëgjuar përfshihet e drejta për të bërë pyetje. Në mënyrë që të kuptojmë dhe ne nëse kemi të drejtë apo jo. Ju u ngritët ikët dhe kjo nuk iu bën nder. Së pari juve dhe më pas parlamentit. Të ikësh me bisht ndër shalë, nuk është pjesë e rregullores, nuk i shërben të vërtetës. E dëgjova me durim avokatin, por do të doja që t’i bëja disa pyetje. Të fshihesh nuk bëhet shërbim”, tha Alibeaj.