Zbardhet dëshmia në gjyq e Dardan Krivaçës dhe shokut të tij, Arbër Sejdiu, të cilët akuzohen se torturuan për vdekje 18-vjeçaren Marigona Osmani, në gusht të vitit të kaluar.
Gjatë leximit të aktakuzës, bashkëshorti i viktimës, Dardan Kirvaça, raportohet se ka nisur të qajë. Mësohet se ai ka deklaruar se do flasë në seancat e ardhshme gjyqësore.
“Nuk po them që jam i pafajshëm, veç se di. Nuk dua të deklarohem rreth fajësisë”, tha ai sipas Klan Kosova.
Shoku i tij, Arbër Sejdiu ka mohuar akuzat duke thënë se është i pafajshëm.
“E ndjej vetën të pafajshëm. Nuk e pranojë fajësinë”, deklaroi ai para togave të zeza.
Dardan Krivaça mbërriti në seancë gjyqësore me jelek antiplumb dhe pranga në duar, ndërsa shoqërohej nga forca të shumta policie. Dy shokët akuzohen se torturuan për vdekje 18-vjeçaren brenda një banese ku jetonte çifti dhe më pas trupin e pajetë e braktisën në spital.