Nga Jorida Tabaku
Tashmë që të dhënat ekonomike janë kokëforte dhe që kanë kthyer vendin në një prodhues krize dhe që për rrjedhojë po e zbrazin atë përditë nga shtresa e mesme që është motori ekonomisë, lipset të parashtrojmë një rrugë për të dalë.
Hapi i parë është ai i kapjes së demit nga brirët! Shqetësimi kryesor i bizneseve dhe qytetarëve te ne përputhet në një pikë: korrupsioni. Kjo është lubia që e ka kapluar vendin tonë dhe ka krijuar një kulturë të thellë pandëshkueshmërie edhe papërgjegjshmërie për aktet e kryera.
Për të luftuar korrupsionin lipset nevoja për një vullnet politik dhe gjithashtu edhe domosdoshmëria për instrumente ligjore dhe institucione, që në fakt ndërpresin lidhjen kapilare të korrupsionit. Në këto vitet e fundit është vërejtur rritja e korrupsionit në nivelet më të larta të administratës civile dhe njëkohësisht ministrave, siç edhe rasti i inceneratorëve dëshmoi.
Tanimë, beteja është që t’ua bësh më të vështirë mekanizmave korruptivë për t’ia arritur qëllimit. Kjo mund të arrihet përmes përforcimit të legjislacionit në mënyrë të tillë që zinxhiri korruptiv të bëhet më i vështirë. Kështu nëpunësit civilë të kenë mundësi më të madhe për t’u mbrojtur nga ligji dhe gjithashtu për të mbrojtur institucionet nga ministra apo drejtorë apo dhe eprorë më të lartë që duan të shkelin ligjin.
Hapi i dytë është ndërtimi i një procesi ligjvënës që mundëson parashikueshmërinë ligjore. Kjo përkthehet në krijimin e një Kodi Fiskal dhe Tatimor që do t’i japë fund njëherë e mirë politikës së ndryshimit të taksave sipas interesave të vogla apo të një numri të vogël biznesesh. Klima e biznesit në vend ka vënë re që në fakt politikat fiskale janë ato që kanë përkeqësuar dhe kanë venitur çdo përparësi ekonomike dhe gjeografike që ka vendi jonë. Raportet e fundit si nga DASH edhe nga institucionet e tjera ekonomike vlerësojnë me të drejtë se këto probleme shkaktojnë pasiguri në investime.
Ndaj rruga e vetme mbetet ajo e goditjes së këtyre nismave siç duhet.
Janë këto dy hapa që do të prodhojnë një mundësi për të goditur sistemin oligarkik dhe mungesën e konkurrencës, nga e cila lëngon sot sistemi ynë ekonomik dhe politik. Favorizimet fiskale apo dhe legjislative, që tanimë janë një sekret publik, kanë krijuar një ambient të pandershëm dhe jokonkurrues.
Tregu dhe liria e tij ofrojnë një mundësi për konkurrencën dhe për zhvillimin e sipërmarrjeve, historia e njerëzimit dhe vetë historia e kapitalit në Shqipërinë posttotalitare janë një shembull.
Për sa kohë qeveritë kanë punuar për të zhvilluar dhe për të mbajtur një treg të shëndetshëm dhe konkurrues për aq kohë dhe sipërmarrja ka prodhuar një shtresë të mesme e të shëndetshme.
Bota sot kërkon inovacion dhe treguesit në vendin tonë janë të tillë që mbështesin tezën se Shqipëria i ka të gjitha shanset të jetë inovatore në fushën e teknologjisë, por mungojnë mekanizmat. Ato qindra të reja dhe të rinj që largohen nga Shqipëria e bëjnë sepse ambienti inovativ nuk është ai që kërkohet.
Natyrisht, ne mbahemi si një shtet që fatkeqësisht prodhojmë inovacione në fushën e amnistive fiskale e penale, por jo si një qeveri që nxit inovacionin në fushën e teknologjisë.
Produkti i Shqipërisë siç e kemi është dorëzimi pa kushte përpara çdo krize dhe justifikimet e pafundme të qeverisë për ato që na ndodhin. Në të vërtetë, problemet e sotme të vendit tonë po evidentohen më mirë nga kriza.
Shqipërisë i mungon konkurrenca, i mungon inovacioni dhe këto janë dy elementet kyç që e bëjnë ekonominë tonë jo atraktive. Në mungesë të tyre ne kemi korrupsionin dhe një legjislacion të dedikuar pak bizneseve duke prodhuar një ekonomi ineficiente.
Në botën e globalizuar që jetojmë veç këto dy elementë do të mund të shndërronin vendin në një “hub” natyral për inovacionin dhe teknologjinë në rajon.
Pra, ajo që mund ta shpëtojë vendin sot është qasja tërësisht ndryshe ndaj ekonomisë dhe ndërmarrja e nismave për të luftuar korrupsionin me vullnet dhe mjete ligjore dhe institucionale. Sikundër dhe për të mundësuar një treg të lirë.
Vetëm duke krijuar një strukturë të re dhe tërësisht të përshtatshme për eficiencën në treg dhe maksimizimin e aftësive të çdo shqiptari ne mund të shohim më tej për një vend që krijon dhe u jep mundësi qytetarëve të tij. Pra, ajo që ofrohet nga PD nuk është vetëm një politikë e ulët e taksave, por një reformim i thellë i qasjes ndaj tregut, politikës, rregullave dhe perspektivës ekonomike.
Reforma ekonomike, duke luftuar oligopolet, monopolet dhe oligarkinë do të lehtësojë akoma më tej implementimin e politikave fiskale me taksa të sheshta pasi ekonomia do të çlirohet nga helmi i tregut të kapur.
Problemet strukturore ekonomike dhe mbi të gjitha vizioni i qeverisë kanë rritur efektin e goditjeve që ka kriza në ekonominë tonë. Ato më herët kanë prodhuar një sistem të pandershëm dhe jo konkurrues, që më tej është shoqëruar me një vend që po thahet nga mendjet e reja dhe konkurruese për të prodhuar stanjacionin.
Nëse do të duam një rrugë për të dalë nga kjo krizë, por mbi të gjitha për të ndryshuar rrënjësisht qasje ndaj problemeve, atëherë momenti është sot dhe treni nuk duhet humbur.