Dhoma e Avokatisë ka vendosur të ndëshkojë 15 avokatë “rebelë” që vijuan punën ndërkohë që kolegët e tyre iu bashkuan bojkotit. Mësohet se ndaj avokatëve do të merren masa disiplinore. Masat përfshijnë gjoba deri në pezullim të licensës.
Avokati Maks Haxhia njoftoi se do të kërkojë ndjekje disiplinore për avokatët që kanë thyer bojkotin, si shenjë protestë për hartën e re gjyqësore.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë pak kohë më parë njoftoi bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore në shenjë protestë ndaj hartës së re gjyqësore. Ndër të tjera, këshilli i Përgjithshëm i dhomës së Avokatisë vendosi se moszbatimi i këtij vendimi “ do të ketë pasoja të rënda dhe procedimin disiplinar të atyre që thyejnë këtë vendim”.
Avokatët kanë bojkotuar seancat gjyqësore prej kohësh ndërsa në mesin e tyre ka patur edhe “rebelë” që kanë vijuar punën rregullisht.
13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykatë administrative dhe 1 gjykata apeli për të gjithë vendin është propozimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore në vend pas muajsh konsultimesh me grupet e interesit, i cili ka krijuar debate në shoqërinë civile.