Vijon prej dy ditësh vatra e zjarrit në malin e Çikës, në Vlorë. Mësohet se zjarri po përparon në drejtim të Llogarasë ndërsa terreni i vështirë e bën të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikëses. Vetëm ndërhyrja nga ajri me helikopter mund ta neutralizojë zjarrin që po përparon gjithnjë e më shumë dhe po rrezikon bimësinë në malin e Çikës. Bëhet me dije se deri më tani nga zjarri janë djegur 5 hektarë shkurre.
Nuk dihet nëse qeveria shqiptare do të huazojë nga fqinjët një avion për shuarjen e zjarrit apo nëse do të angazhojë ushtrinë ashtu siç bën kur vendi ndodhet nën pushtetin e flakëve. Pak kohë më parë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se nuk ia vlen që Shqipëria të blejë avion 50 mln euro për shuarjen e flakëve. Peleshi theksoi se në të tilla raste angazhohen ushtarët, të cilët bëjnë 4-5 orë rrugë në këmbë për të shuar flakët.