Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj reagon një ditë pas shpëtimit të tre turistëve çekë në vendin e quajtur Curraj i Epërm, në Theth. Brataj publikon pamjet nga operacioni i shpëtimit dje, ku thekson se është rrezikuar dhe jeta e pilotit.
Brataj shprehet se duhet t’i jepet fund këtyre aventurave të rrezikshme nga ana e turistëve ndërsa bën thirrje që duhen shmangur zonat e largëta, pa pasur udhërrëfyes.
“Vazhdojnë aventurat e pa kontrolluara të turizmit malor! Tre të rinj nga Çekia përfundojnë afër greminës, ku u bllokuan për dy ditë pasi kishin humbur rrugën dhe pa ditur ku të shkojne! Si është e mundur që për të disatën herë turistët lëvizin pa udhërrëfyes? Ky nuk është turizëm, kjo do të thotë të diskutosh jetën! Rrezik jete për personelin mjeksor, rrezik jete për punonjësit e policisë, por akoma më shumë rrezik jete për pilotët! Stop aventurave ku rrezikohet jeta! Një falenderim personelit pilot që malet i kanë kthyer në pista helikopteri, faleminderit personelit mjekësor të Lekbibaj dhe policisë së drejtorisë Kukës për kontributin e dhënë për disa orë rresht, duke rrezikuar jetën e tyre. Fatmirësisht edhe këtë herë misioni përfundoi me sukses.”, shkruan Brataj në Facebook.
Ditë e djeshme 3 turistë çekë mbetën të bllokuar për disa orë në vendin e quajtur Curraj i Epërm. Ata u arritën të shpëtohehin pas dy operacioneve të kryera nga ekuipazhi i helikopterit të Forcës Ajrore EC 135.Tre turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia tha se për shkak të terrenit të thepisur dhe mjegullës së zonës, nuk është bërë e mundur ndërhyrja me helikopter, në zonën ku ata kishin mbetur të bllokuar. Më pas efektivët, me qëllim shpëtimin e turistëve, në bashkëpunim me ekipin e qendrës shëndetësore të fshatit Lekbibaj, kanë ndërhyrë në këmbë për të kontrolluar zonën. Pas disa orësh kërkimesh intensive në terrenin e thepisur të Valbonës, kanë bërë të mundur gjetjen e turistëve, në vendin e quajtur “Maja e Boshit”. Punonjësit e Policisë fillimisht i nxorën turistët nga terreni i rrezikshëm ku ishin bllokuar dhe më pas i kanë transportuar të tre shtetasit çekë, për rreth 2 orë, deri në Bjeshkët e Vashqefenit, ku ishte e mundur ulja e helikopterit. Më pas turistët, me ndihmën e helikopterit, u transportuan në qendrën shëndetësore të fshatit Lekbibaj, ku morën asistencën mjekësore.