Nga Rexhina Biba
Pas akuzave të kryebashkiakut të Rrogozhinës, Beqir Nuredini për mungesën e infrastrukturës në rrugët dytësore dhe mungesës së mbikalimeve për banorët e zonës në autostradën Kavajë-Rrogozhinë, A.Rr.Sh. ka dhënë për 27.al një sqarim disi gazmor.
Të pyetur si mund të rregullohet problemi me banorët, të cilët rrezikojnë jetën çdo ditë duke kaluar mbi hekurat rrethues për të kaluar në anën tjetër të fshatit, për shkak të mungesës së mbikalimeve, A.Rr.Sh. tha se është parashikuar vendosja e mbikalimeve metalike për këmbësorët. Fakti është se për gjithë aksin Plepa-Kavajë-Rrogozhinë janë vendosur vetëm tre mbikalime dhe sipas tyre po punohet për të katërtin. Nëse i hedhim një sy mbikalimve që janë vendosur do i shohim që janë në ajër, pasi nuk kanë kurrfarë bazamenti (këmbët e mbikalimit).
Kështu banorët, nëse duan të kalojnë në anën tjetër të rrugës, për momentin duhet të kapërcejnë hekurat rrethues ose të fluturojnë për t’u ngjitur tek mbikalimet, për të cilat flet A.Rr.Sh. që po pret që të marrë lejen për lirimin e sheshit nga komuniteti i zonës dhe spostimin e linjave të tensionit të lartë. Por, se kur do mbarojnë këto leje dhe spostimet ende nuk dihet, kurse banorët ose duhet të aventurohen në mes të autostradës, ose të izolohen.
Përsa i përket rrugëve dytësore punimet janë skandaloze duke detyruar qindra biznese të punojnë mes pluhurit, baltës dhe gropave, ku si pasojë e mungesës së hyrjeve dhe daljeve janë drejt falimentimit.
Ndërkohë që për “të fortët” rruga dytësore devijon dhe përfundon nëpër kanale me ujë.
Por, A.Rr.Sh (le të themi) thotë se rruga dytësore është pjesë e kontratës shtesë së punimeve, e cila është në proces tenderimi. Gjithashtu mungojnë fondet për kontratën bazë, dhe ne pretendojmë rrugë dytësore.
Meqënëse njerëz të afërt të ministrit Haxhinasto donin të bënin biznes me karburantet morën në qafë njerëz, tani po marrin sërish në qafë njerëz të tjerë duke i izoluar. Në këtë mënyrë, me të thatin digjet dhe i njomi. Në asnjë vend nuk ndodh që të bllokohen fshatra të tërë pa mbaruar rrugët dytësore dhe mbikalimet, por Shqipëria është vend i çudirave, prandaj mund të presim gjithçka.