E njohur si dosja e sterilizimit të instrumenteve kirurgjikalë dhe e denoncuar në atë kohe nga “Nisma Thurje” , SPAK nuk është ende gati të finalizojë dosjen numër 1 të regjistruar më 23 dhjetor 2019, vetëm pak ditë pasi Prokuroria e Posaçme kishte nisur nga puna. Hetimet nuk kanë ende një finale duke lënë llogari të hapura për tre vepra penale ndaj zyrtarëve të lartë që nga shpërdorimi i detyrës, korrupsioni dhe shkelja e barazisë në tendera. Megjithëse SPAK pretendon se gjendet pranë mbylljes së hetimeve, ende nuk ka emra konkretë të dyshuarish apo edhe të pafajshmish.
Pasi ka përfunduar me marrjen në pyetje të anëtarëve të komisionit të vlerësimit të ofertave shumica e tyre mjekë, SPAK pyeti për herë të tretë ish zëvendës ministrin e Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj, që mes të tjerash rezulton se përmes një memoje 26 qershorit 2014 përmendi qendrën e sterilizimit në QSUT si vendi ku mund të përballohej sterilizimi i instrumenteve për 60 mijë operacione.
Pikërisht pas këtij opinioni dokumentohet edhe propozimi i parë për dhënien e këtij reparti sipas skemës së partneritetit publik privat.
Pa llogaritur faturën përfundimtare, vetëm një shkresë me protokoll 693/4 provon se vlera e pajisjeve të marra në dorëzim nga koncensionari shkonte 107 milionë lekë.
I pyetur sikurse edhe anëtarët e komisionit edhe ish zëvendës ministri mësohet të ketë argumentuar se dhënia me koncension u krye duke shmangur prokurimin publik shtyrë nga situata e infeksioneve të larta.
Ndonëse herë pas here prokurorët kanë vijuar me pyetjen e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve që ekspozohen në fashikuj, i pyetur nga TCH, SPAK nuk dha asnjë përgjigje se kur do ta pyesë ish ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja.
Si kreu i këtij dikasteri në shkresat e 2015, Beqja u paralajmërua për riskun e kësaj kontrate nga ministri Shkëlqim Cani, por në atë kohë si ministër shëndetësie ai e mbrojti kontratën me arsyetimin se në studimin e fizibilitetit kostot ekstra shkaktoheshin nga infeksionet spitalore.