Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla është përplasur me tone të ashpra me deputetin demokrat Tritan Shehu sa i përket miratimit të rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.
Balla e quajti Shehun gënjeshtar pasi ky i fundit tha se rezoluta e socialistëve është pesë pika prapa asaj të miratuar nga Parlamenti Europain, duke ngjallur reagimin e Ballës.
“Amendamentet që sapo u prezantuan do të rrëzohen, do të votohen kundër se nuk kanë asnjë lidhje me dokumentin. Dokumenti rezoluta që miraton sot Kuvendi është një rezolutë për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë. Shqipëria e ka dënuar gjenocidin që në momentet e para kur u ngritën dhe aktakuzat mbi autorët realë të këtij gjenocidi. Shqipëria sot miraton një rezolutë në frymë dhe 100% sipas përmbajtjes së Parlamentit Evropian të vitit 2015. Unë ju sfidoj, ja u thashë dhe po ja u them rezoluta e Parlamentit Evropian quhet rezolutë për përkujtimin e Srebrenicës, rezoluta e Parlamentit shqiptar quhet “Rezolutë për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.” Tani më thoni mua kush është një hap mbara. Po turp nuk ke që gënjen. Gënjen, gënjeshtar. E vërteta është që rezoluta e Shqipërisë është një hap para. Të thuash gënjeshtar është konstatim, jo fyerje”, tha Balla.