Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin duke folur këtë të enjte në Kuvend e ka quajtur ish kryeministrin Sali Berisha shembullin e një politike të mbrapshtë, për të cilën tha se shumë njerëz janë zënë e vrarë nëpër protesta për hir të interesave politike.
Duke komentuar protestën e thirrur nga Berisha këtë të enjte, Spiropali i tha me ironi që të kujdeset për veten se ka një pasdite të lodhshme.
“Pi ujë Sali kudo të jesh se është vapë se të pret një pasdite e lodhshme në protestën vetmitare dhe private. Po kërkon të shpikësh vetveten, ngri furtunën e radhës mos kujto se dhe ata që ke rrotull nuk e dinë që janë mercenarë në një luftë që ju përket. Politika i ka tregtuar e jo pa sukses hallet e saj si hallet e publikut dhe Shqipërisë. Në emër të kësaj qytetarë janë derdhur në sheshe kanë protestuar, janë ndeshur me njëri tjetrin e janë vrarë, janë zënë e ndarë, janë ndeshur si tifozë për këta që vijnë helmojnë podiumet këtu, kurse loja bëhej gjetkë”, tha Spiropali.