Deputetja Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me projekt-rezolutën për gjenocidin serb në Srebrenicë.
Tabaku, me anë të një videoje që ka ndarë në llogarinë e saj në Instagram, kërkon që të merren parasysh 4 amendamentet e propozuara nga PD-ja në lidhje me rezolutën.
Ajo shton se pa dënimin e gjenocidit serb në Srebenicë, pa njohjen e shkeljeve të drejtave të njeriut dhe masakrave që ushtria serbe ka kryer, por njëkohësisht dhe vrasjen e 8000 civilëve, rezoluta do të jetë e paplotë, ndaj apeloi që amendamentet të merren parasysh.
“Nesër në Parlamentin e Shqipërisë do të diskutohet një projekt-rezolutë për genocidin serb në Srebenicë. Në emër të PD kemi prezantuar 4 amendamente, pa të cilat kjo rezolutë është e paplotë. Së pari, duhet të dënojmë genocidin serb në Srebenicë; duhet të njohim shkeljet e të drejtave të njeriut; duhet të njohim masakrën që ushtria serbe ka kryer në Srebenicë, por njëkohësisht vrajsen dhe masakrimin e 8000 civilëve. Unë besoj që është në lartësinë e Parlamentit të Shqipërisë të ngrihet në të njëjtin nivel me atë të Kosovës dhe të Malit të Zi, që i kanë dënuar krimet serbe në Srebenicë. Pa këto, çdo miratim tjetër është thjeshtë një letër rutinë e cila nuk ka asnjë vlerë as për memorien historike, por njëkohësisht as për përkujtimin e këtyre viktimave”, tha Tabaku.