Një operacion blic është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Sot policia ka vënë në pranga dy të rinj pasi janë kapur me armë zjarri në mjetin me të cilin lëviznin.
Në pranga kanë rënë personat e identifikuar me iniciale, E. M., 26 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; E. Sh., 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u procedua penalisht në gjendje të lirë i riu me iniciale E. H., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shërbimet e policisë, në afërsi të TEG-ut, kanë ndaluar mjetin që drejtohej nga E. H., dhe me pasagjer E. M dhe E. Sh.
Gjatë kontrollit fizik të E. Sh., nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike cannabis sativa, ndërsa drejtuesi i mjetit, shtetasi E. H., nuk ka kallëzuar krimin.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së të riut me iniciale E. M., nga shërbimet e Policisë, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, një armë zjarri kallashnikov, krehra me municion luftarak dhe një palë dylbi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.