Në një konferencë për shtyp me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se Rama tregoi përfundimisht se me kë është i rreshtuar në diplomacinë evropiane.
Sipas Berishës, fakti që Rama doli në konferencë me Vuçiçin po i kundërvihet projektit evropian në Ballkan dhe është i rreshtuar me Beogradin dhe Moskën.
Sakaq ai shtoi se Rama më shumë bënte avokatin e Serbisë sesa ka përmendur Shqipërinë.
“Në daljen në konferencë në këtë format, Rama faktoi se në cilën anë është i rreshtuar. Mos harroni se ky samit ishte historik sepse BE në kushte që ndonjëherë nuk mund të imagjinoheshin u ofroi për qëllime politike statusin kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë. Ai shkon në samite me benevrekë për të përqeshur protokollet zyrtare që bazohen në respekt të mikut që të pret. Tani ka nxjerrë krye si një njeri që i kundërvihet projektit evropian në Ballkan. Skandaloze ishin deklaratat e Ramës. A dëgjuat ta përmendte ndonjëherë Shqipërinë? Fare. U mor vetëm me avokatinë e Serbisë dhe qortonte liderët e BE-së pse i kërkoi Serbisë të zbatonte sanksionet kundër Rusisë”, tha Berisha.