Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit deputeti demokrat Gazment Bardhi është shprehur se përfitues nga investimet strategjike janë edhe 10 miq të kryeministrit Rama.
Sipas tij, ata përfituan 36 investime strategjike me vlerë 4.6 miliard euro.
Ai shprehet se Rama refuzon komisionin hetimor për investimet strategjike sepse është përgjegjës për abuzimet me pronat publike.
“Përfitues të investimeve strategjike ndërtuesi i vilës personale të Edi Ramës në Surrel si dhe trafikanti i drogës nga Shkodra. Edi Rama refuzon komisionin hetimor për investimet strategjike sepse është përgjegjës për abuzimet me pronat publike. Asnjë investitor i huaj nuk ka përfituar nga ligji. Edi Rama është arkitekti i shndërrimit të ligjit për investimet strategjike në një ligj klientelist dhe korruptiv”, tha Bardhi.
Ndër të tjera deputeti demokrat hodhi akuza ndaj kryeministrit Rama se 10 persona të njohur të tij janë përfitues nga investimet, mes të cilëve përmend edhe ndërtuesin e shtëpisë së kryeministrit në Surrel.
“Kush janë përfituesit do të thotë ju? Asnjë surprizë edhe këtu. Janë të njëjtët, ato që kanë përfituar në këto 9 vite çdo koncesion, çdo PPP dhe çdo tender të madh nga kjo Qeveri. E vetmja shtesë në këtë listë janë ministrja Olta Xhacka dhe aktori Gaz Paja. Pra Kuvendi në vitin 2015 miratoi një ligj, gjoja me sebepin se do sillte investime të huaja dhe do krijonte lehtësi për investitorë serioz të huaj, por përfundimi është që përfitues nga ligji janë 10 individë, miq dhe ortakët e përhershëm të Edi Ramës, shtuar Olta Xhackën dhe Gaz Pajën. Në listë nuk mungon ndërtuesi i sarajeve personale në Surrel të Edi Ramës, Pandeli Carapuli; eksponentë të kallëzuar në SPAK për krime zgjedhore dhe që blenë vota për partinë socialiste, shantazhojnë votuesit si Pëllumb Gjoka, apo kompani që janë në proces likujdimi për shkak se kanë falimentuar. Pra ligji për investimet strategjike është shndërrua nga Edi Rama në një plaçkë për të shpërblyer me pasuri publike, kryesisht me prona në bregdet, në kundërshtim me ligjin, miqtë, familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij. E për abuzimet me këtë ligj; Edi Rama si Kryetar i Komitetit të Investimeve Strategjike, nuk thotë dot që nuk dija gjë, e ka bërë ministri me kokën e vet; apo kam firmosur pa lexuar. Për abuzimet me këtë ligj përgjegjësia është direkt e Edi Ramës. Prandaj ka urdhëruar sot deputetët e tij të bllokojnë ngrtijen e Komisionit Hetimor”, tha Bardhi.