Është zbuluar emri i punonjësit të policisë së Lezhës, i cili rezulton të jetë marrë i pandehur nga prokurori Françesk Ganaj, për shkak se akuzohet ka dhunuar duke i shkaktuar dëmtime trupore, të arrestuarit Aldi Rama, i cili pas daljes nga burgu vrau me armë zjarri punonjësin e policisë, Saimir Hoxha.
Polici që ka ushtruar dhunën ndaj Aldi Ramës, i cili në atë periudhë ishte shoqëruar dhe arrestuar për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, quhet Myrteza Mehmetaj.
Ndaj Mehmetaj aktualisht prokuroria e Lezhës ka ngritur akuzën e “Kryerjes së veprimeve arbitrare”, ndërsa aktualisht ky i pandehur është larguar nga shërbimi në komisariatin e Lezhës dhe tashmë punon si specialist në policinë e Burgjeve, pranë burgut të Fushë-Krujës.
Në dosjen hetimore thuhet se Myrteza Mehmetaj, ka qenë me detyrë oficer policie në komisariatin e Lezhës dhe gjatë kohës së procedurave të arrestimit të Aldi Ramës, ka ushtruar dhunë fizike ndaj këtij të fundit.
Rasti është ndjekur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, të cilët në atë periudhë kërkuan kryerjen e një ekspertimi mjeko-ligjor ndaj 21-vjeçarit Aldi Rama. Në raportin e ekspertimit, mjekët konstatuan se dëmtimet në trup Rama, i ka pasur si pasojë e dhunës së ushtruar në ambientet e brendshme të komisariatit Lezhë.
SHKB ka ndjekur të gjithë praktikët e shoqërimit dhe arrestimit të Aldi Ramës, duke zbuluar dhe oficerin, Myrteza Mehmetaj. Ndërsa vetë Aldi Rama, në atë periudhë akuzoi tre punonjës policie si të përfshirë në dhunimin e tij në komisariat.
Pas disa muaj qëndrim në burg, Aldi Rama, është liruar nga gjykata e Lezhës me “arrest shtëpie”. Por teksa duhet të qëndronte në “arrest shtëpiak”, në 28 shtator të vitit 2021, Aldi Rama u bë protagonist i një krimi të rëndë, duke ekzekutuar me armë zjarri oficerin e Policisë së Lezhës Saimir Hoxha, teksa ky i fundit bashkë me dy kolegë të tij po ktheheshin nga një aksion antikanabis në Ishull-Lezhë.
Oficerët e Policisë ndaluan për kontroll makinën, në të cilën ndodhej Aldi Rama bashkë me dy shokë të tij, por sapo oficeri Saimir Hoxha i ka kërkuar mjetin e identifikimit Ramës, ai e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend./ Ora News/