Kontrollet blic në Malësinë e Madhe, kanë vënë në pranga një 22-vjeçar, pasi është kapur duke lëvizur me armë zjarri me vete. Policia bën me dije se i riu për t’iu shmangur policisë, braktisi motoçikletën e tij, por arratisja e tij nuk ka zgjatur shumë.
I riu i identifikuar si A. Rr, u arrestua gjatë operacionit policor të koduar “Kerraj”.
“Ky shtetas po lëvizte me armë zjarri në motoçikletë, në rrugën Gruemirë-Linaj. Pasi ka vënë re që po ndiqej nga shërbimet e Policisë, 22-vjeçari ka braktisur motomjetin dhe është fshehur në një zonë me bimësi, në fshatin Kerraj. “- njofton policia.
Pas kapjes dhe ndalimit të personit të identifikuar me iniciale A. Rr., shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit, në afërsi të vendit ku ai ishte fshehur, kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, një armë zjarri automatik dhe disa fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me motomjetin.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Shkodër, për veprime të mëtejshme.