Ditën e djeshme mediat zbuluan se numrat e telefonit të 3 milion shqiptarëve janë reklamuar në një faqe në internet për tu shitur. Çmimet për blerjen e të dhënave për numrat shqiptarë të telefonisë mobile variojnë nga 500 deri në 4000 dollarë.
Për këtë episod, i cili është i disati në radhë që lidhet me thyerjen e të dhënave personale pas daljes të database të pagave dhe targave të shqiptarëve, ka reaguar edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili.
Me një postim në Facebook, Vasili thotë se kjo është një estradë e orkestruar nga kryeministri Edi Rama, për të fshehur farsën serbo-ruse me “Ballkanin e Hapur”, por edhe rritjet e pajustifikuara të çmimeve.
“Edi Rama dje në aksham filloi një estrade të trashë me gjoja listat e numrave të telefonit, që medemek shiten në pazar. Estrada e Rames pritej, bile ne fakt duhet te fillonte edhe me shpejt, sepse duhej me patjetër një zhurmë teneqesh, pas dështimeve njëri më i rëndë e më poshtërues se tjetri. Kancelari Scholz e shkriu krejt farsën serbo ruse të Ballkanit të Hapur pas zdërhalljes idiote të Ohrit dhe jua ngriu tradhëtine në buzë Rames & co duke i lene si guakë. Kajmaku e justifikoi besimin dhe vleresimin e Rames per te dhe i futi nje dore prej 1 milione euro droge ashtu sic rilindja e ka qejf, paçka se italianet e “mallkuar” e kapen dhe ja prishen Rames edhe festen e partise. Hatasë me inceneratoret fundi i duket shume larg dhe dokumenta e fakte dalin perdite, qe e bejne gjithnje e me katran Ramën dhe po ja bëjnë hallin sa një mal. Çmimet e tmerrshme kanë egërsuar të gjithë njerëzit sepse janë pasojë shqeto e pazarit të Ramës me oligarkët për të grirë miliona euro dhe këtë e ka kuptuar i madh dhe i vogël. Këto gjëma e bëma buçasin e tundin dynjane. Këto dëgjojnë dhe këto ju dhembin deri në palcë të gjithë njerëzve dhe me këto e vetëm me këto do të merremi edhe ne. Sa për këto zhurmat e kanoçeve me estrada numrash telefoni, le t’ja lëmë të merret Rama vetë me to tamam si ata matufët, që luajnë me jargët e veta!”, shkruan Vasili.