Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e fundit ku do të përballet në sfidën miqësore me Estoninë në stadiumin “Air Albania”. Në konferencën përpara ndeshjes, trajneri i Kombëtares, Edy Reja, ka shpejguar se çfarë nuk shkoi në dy ndeshjet e para përballë Islandës dhe Izraelit dhe se si do të luajnë kuqezinjtë përballë Estonisë.
Sa e rëndësishme është ta karikosh skuadrën? – Sigurisht që do të ketë rotacion. Në grup ka shumë lojtarë të mirë, që luajnë në skuadra të rëndësishme në Serinë A. Pritshmëritë për të bërë mirë janë të mëdha. Lojtarët janë të bindur. Disa prej tyre kanë pasur shumë ndeshje.
Në këtë miqësore do t’i japim mundësinë që të aktivizohen të gjithë, edhe ata që nuk kanë luajtur. Jam i bindur që do të bëjmë shumë mirë dhe jam i bindur që nuk ka nevojë për të gjetur stimujt për të bërë një ndeshje të mirë me Estoninë.
I është komunikuar lojtarëve se kanë bërë shumë gabime, po punohet në këtë pjesë? – Sigurisht gabimet na kanë shoqëruar. Kam folur me skuadrën. Ne hymë mirë në fushë shumë mirë, por patëm një moment që humbëm ekuilibrin. Duhet të kemi parasysh kundërshtarin që kemi përballë. Të njohim forcën e kundërshtarit. Kur ata barazuan ishte një gabim i joni. Deri te goli i parë i barazimit ne bëmë shumë gjëra mirë. Flasim dhe për pjesën e penalltive.
Ajo që nuk më pëlqeu ishte që pas golit të barazimit skuadra e pësoi në aspektin psikologjik. Ne duhet të reagonim dhe nuk e bëmë. Nuk duhet ta kishim ulur ritmin sepse nuk kishte mbaruar ndeshja. Jemi ende në këmbë, nuk kemi vdekur akoma. Të gjitha shanset janë aty. Ne duhet të besojmë dhe këtë qasje duhet të kemi në çdo ndeshje.
Emra të rinj në formacion përballë Estonisë? – Sigurisht ndaj Estonisë më intereson paraqitja. Dua të shikoj një ndeshje të bukur. Mund të kemi ndryshime në formacion, por kemi pasur disa probleme shëndetësore. Kemi disa lojtarë të rinj. Mund të shikojmë Çokajn, Vrionin, por edhe Bajramin. Veseli dhe Lenjanin kanë pasur dhimbje gryke. Jemi duke shqyrtuar situatën, Hysajn mund ta lija pushim. Tre ndeshje janë shumë por ai është mësuar të bëjë të tilla sakrificash.