Drejtësia në Shqipëri po rrezikon kolapsin, jo më për shkak të korrupsionit, por prej mungesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në krahasim me vitin 2018 kur ka filluar procesi i vetingut, nga sistemi i drejtësisë mungojnë aktualisht 207 gjyqtarë dhe prokurorë, shifër që është verifikuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai Gjyqësor.
Gjithashtu, nga shkurti i vitit 2018 deri në mars të 2022, 117 gjyqtarë dhe 70 prokurorë janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që është shkalla e parë e vettiungut, ndërkohë që 69 të tjerë, prokurorë e gjyqtarë, kanë dhënë dorëheqjen për të shmangur vettingun.
Nga ana tjetër, Shkolla e Magjistraturës që është aktualisht rruga e vetme për të plotësuar vendet vakante, në të njëjtën periudhë të vettingut ka diplomuar vetëm 46 kandidatë për magjistratë, ndërkohë që studentët në pritje të përfundimit të vitit të tretë dhe të fundit të shkollës, janë 25 kandidatë për gjyqtarë dhe 21 për prokuror. Pra nuk ka në horizont asnjë zgjidhje ndërkohë që spastrimi i sistemit të drejtësisë nga vettingu, po vazhdon nga ditë në ditë.
Po përse Shkolla e Magjistraturës nuk arrin të plotësojë vendet vakante? Shkolla e Magjistraturës ia kalon përgjegjësinë Këshillave të Lartë të Prokurorisë dhe Gjyqësorit si autoritetet që caktojnë numrin e magjistratëve që ka nevojë sistemi.
“Në janar të çdo viti, Këshillat, pasi kanë kryer një analizë të nevojave, përcaktojnë dhe publikojnë numrin maksimal të kandidatëve që pranohen në formimin fillestar për vitin e ri akademik. Kësisoj sipas ligjit është Këshilli (KLGJ dhe KLP) organi që dikton nevojat e sistemit për trupë gjyqësore”.
Por sa kandidatë për prokurorë e gjyqtarë janë diplomuar nga 2018-a deri në 2022-shin?
“Për periudhën 2018-2021, në Shkollën e Magjistraturës janë diplomuar 46 kandidatë për magjistratë. Ndërsa për vitin 2022 pritet të diplomohen 46 kandidatë për magjistratë, ndër të cilët 25 kandidatë për gjyqtarë dhe 21 kandidatë për prokuror”.
Nga diplomimet ndër vite të magjistratëve, bie në sy se në vitin 2021 kjo shkollë nuk ka nxjerrë asnjë prokuror apo gjyqtar, pasi janë diplomuar vetëm këshilltar dhe ndihmës ligjor. 6 kandidatë për këshilltar ligjor dhe 3 kandidatë për ndihmës ligjor.
Por sa kërkesa ka pasur për tu regjistruar në Shkollën e Magjistraturës gjatë vitit 2022-2023, në kushtet kur aktualisht sistemit të drejtësisë i mungojnë nga vettingu 207 gjyqtarë dhe prokurorë?!
Sipas një njoftimi që Magjistratura ka bërë gjatë fazës së provimeve për t’u pranuar në shkollë, kanë aplikuar 346 kandidatë, por vetëm ¼ e tyre janë shpallur kandidatë për të vijuar studimet.
“Për vitin akademik 2022-2023, kanë fituar të drejtën për të ndjekur programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës 81 aplikantë, ndër të cilët 76 kandidatë për magjistratë dhe 5 kandidatë për ndihmës ligjor”.
Por ndërkohë që numri i të shkarkuarve nga Vetingu është vetëm në rritje, KLGJ dhe KLP nuk kane vendosur ende të reagojë duke zgjeruar numrin e kuotave për ndjekjen e shkollës së magjistraturës. Dhe pas vitesh vuajtjesh nga drejtësia e padrejtë, shqiptarët tashmë vuajnë nga drejtësia e vonuar.