Duke nisur nga data 1 gusht, Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore do të nisin fushatën ndërgjegjësuese për kuponin tatimor. Fushata do të shtrihet në të gjithë vendin me fokus të veçantë zonat turistike për shkak të përqendrimit më të madh të biznesit dhe të pushuesve gjatë sezonit veror.
Dy ditë para nisjes së kësaj fushate, ministri Ahmetaj i është drejtuar administratës tatimore dhe inspektorëve në terren me një letër të hapur.
“Qasja e re, e provuar tashmë në terren e fazës së dytë antiinformalitet, me një fokus të posaçëm tek platforma e riskut dhe platforma informatike e komunikimit me sipërmarrjen për dhjetëra fenomene të ndryshme risku, ka funksionuar.
Dhe ndërkohë që kemi shpallur një fushatë shumë intensive të thjeshtësimit të procedurave, ndërkohë që vazhdojmë ndërgjegjësimin me fushatën komunikuese dhe dialogimin në terren mes tatimeve dhe tatimpaguesve për domosdoshmërinë e korrektimit të përgjegjësisë tatimore, duke filluar nga 1 gushti do të kemi edhe një verifikim në terren të situatës së kuponëve”, thuhet në letër.