Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar Bajram Begajn për postin e ri të presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Osmani shkruan se së bashku do të punojnë që raportet t’i thellojnë edhe më tej.
“Urime të përzemërta për presidentin e sapozgjedhur të Shqipërisë, z. Bajram Begaj! Ju uroj suksese në rolin tuaj të ri dhe shumë të rëndësishëm. Së bashku do të punojmë që raportet vëllazërore ndërmjet Kosovës e Shqipërisë t’i thellojmë edhe më tej, si dhe t’i sjellim vendet tona më afër BE-së”, shkruan Osmani.
Me shumicë votash Bajram Begaj, u zgjedh Presidenti i 8-ë, i Republikës së Shqipërisë. Nga votimi në Kuvendin e Shqipërisë Bajram Begaj mori 78 vota pro dhe 4 vota kundër dhe një abstenim ndërsa i duheshin vetëm 71 për të zëvendësuar Ilir Metën.
Në procesin e votimit morën pjesë 83 deputetë, nga të cilët 74 ishin nga mazhoranca. Nga opozita votuan Mesila Doda, Shpetim Idrizi, Nusret Avdullai, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho ndërsa në votime morën pjesë edhe tre deputetë të PSD.