Një vatër zjarri e evidentuar mbrëmjen e djeshme në jug të ishullit të Sazanit në qytetin e Vlorës është vënë nën kontroll.
Për shuarjen e flakëve bëhet me dije se kanë shkuar menjëherë në vendngjarje 30 efektivë të anijes së gatshme dhe efektivë të Qendrës së Vëzhgimit Detar, të cilët bënë të mundur vënien nën kontroll të flakëve.
Nga ana tjetër, në drejtim të Sazanit kanë shkuar edhe efektivët e bazës së Pashalimanit të imbarkuar në anijen P134.
Së fundmi lidhur me ngjarjen ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi bën të ditur se aktualisht është kufizuar përhapja e zjarrit dhe po punohet për të shuar edhe pjesën e mbetur. Dyshimet e para janë për një zjarr të qëllimshëm.