Deputetja demokrate, Ina Zhupa pas letrës drejtuar Presidentit Ilir Meta për modekretimin e Ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peisazhit kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit , ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit” thekson se kreu i shtetit mbetet gardian i interesit publik.
Sipas deputetes demokrate, Presidenti nuk do ta dekretojë ligjin ashtu siç ka kthyer edhe atë të Teatrit Kombëtar. Zhupa shpreh besimin që pas kthimit të ligjit, do t’i hapet rruga diskutimit në komione për ndryshimin e ligjit.
“Vazhdon beteja ligjore e Butrintit. Beteja sot nisi me një letër zyrtare drejtuar presidentit të republikës. Presidenti siç ka qenë deri sot gardian i interesit publik, ka kthyer ligjin e teatrit, kjo është një gjë e ngjashme kur i jepet një privati kundrejt asaj që është trashëgimia kulturore dhe interesi publik.
Dhe unë jam shumë e bindur që presidenti i republikës do ta kthejë ligjin në parlament dhe nuk do ta dekretojë këtë ligj. Këtu hapet një rrugëtim i ri i cili detyron dhe një herë kthimin në të gjitha komisionet, debatimin dhe një herë me grupet e interesit dhe mundësinë për të pasur ndryshime në këtë ligj.”- u shpreh Zhupa në Ora News.