Nga Klodian Tomorri
Një burrë 34 vjeç me shumë halle humbi jetën pasi ra nga pallati ku punonte në Kurbin. Invalid dhe në gjendje shumë të vështirë ekonomike, punëtori fatkeq la pas 3 fëmijë jetimë. Aksident në punë, që mund të ndodhë nga fati i keq. Por jo në Shqipëri. Këtu pas çdo tragjedie, qëndron një krim ose një padrejtësi.
Pallati ku punonte i ndjeri ishte pjesë e programit të rindërtimit në Kurbin. Por hetimet e prokurorisë kanë zbuluar se punëtori ishte i pasiguruar. Pra në një program qeveritar, kompania private që ka fituar tender rindërtimi apo nënkontraktohet e saj punojnë me punëtore të pasiguruar.
Kur kontraktorët e qeverisë marrin guximin dhe ndërtojnë vepra publike me punonjës të pasiguruar, kush është autoriteti që i garanton rregullat e sigurisë në pune? Këto janë krimet dhe padrejtësitë që e gërryejnë Shqipërinë.
Por fatkeqësisht këto janë plagët që Shqipëria kuron më pak.
Sepse halli kombëtar i Shqipërisë sot nuk është padrejtësia ndaj atyre që jeta i ka vënë poshtë, as babëzia e atyre që plaçkitin nga maja lart. Halli kombëtar i Shqipërisë sot është kush pallohet me kë në Librazhd, Peshkopi apo Konispol.
Për këtë mjafton të shohësh televizionet në darkë. 8 milionë orë transmetimi për një çështje që nuk ka asnjë grimë interesi publik dhe 30 sekonda mbulim për një fukara që e vret shteti dhe padrejtësia.
Dhe kështu në heshtje, vjen fatkeqi i radhës. Kjo është Shqipëria që ha veten.