Mediat e huaja raportojnë se ministrat britanikë po planifikojnë një deportim masiv gjatë javës së ardhshme të kriminelëve të huaj dhe emigrantëve që ndodhen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Lajmin e bëri të ditur britanikja “Daily Mail”, e cila shtoi se ky operacion, sipas saj, përfshin deri në 300 shtetas të huaj dhe besohet të jetë aksioni më i madh i dëbimit i tentuar ndonjëherë brenda 24 orëve.
Fluturimet çarter të rezervuara nga Ministria e Brendshme britanike nisen për në Kurdistan-in e Irakut, Shqipëri dhe Bangladesh të martën. Ata që po deportohen po mbahen në qendrat e largimit të imigracionit, përfshirë Colnbrook, pranë aeroportit Heathrow, ndërsa presin fluturimet, shkruan Daily Mail.
Emigrantët janë kapur nga e gjithë Britania dhe janë ndaluar gjatë muajit të kaluar. Ndërsa departamenti refuzoi të komentonte detajet e fluturimeve të së martës, “Daily Mail” mësoi se mes të dëbuarve përfshihen kurdë irakianë, shqiptarë dhe shtetas të Bangladesh-it. Ata do të fluturojnë, përkatësisht, në kryeqytetet e vendit të tyre.