Deputeti i PD-së, Dashnor Sula ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Komisariatin nr3 në Tiranë, ku një efektiv policie ka vrarë me armë kolegun e tij.
Ai shprehet se kjo është një situatë për të cilën duhet të reagohet menjëherë, përpara se të jetë vonë dhe të rrezikohet jeta e qytetarëve.
“Disa javë më parë kërkova transparencë për një ngjarje të rëndë që ndodhi brenda komisariatit të Policisë në Kavajë. Dyshimet që ngrita u quajtën konspiracione. Po sonte çfarë do të thoni?! Në vendin që supozohet të jetë më i sigurtë për jetën, njerëzit që supozohet të parandalojnë ngjarje kriminale, përdorin armën e shërbimit për tu përplasur me njëri-tjetrin me pasojë jetën. Në Komisariatin e Policisë nr 3 në Tiranë polici vret kolegun. Unë i shpreh ngushëllimet e mia familjes për humbjen e jetës së efektivit brenda komisariatit dhe njëkohësisht kërkojë që të ngrihen të gjitha strukturat në këmbë. Ngjarje të tilla janë të tmerrshme që nuk duhet të ndodhin as në rrugët më të errëta të Shqipërisë e jo më në Polici!“, shkruan Sula.
Sipas tij “dëshmitë që kanë dalë nga dosja “Plumbi i Artë” konfirmojnë atë që ne si opozitë denoncojmë: kriminaliteti po lulëzon”.