Arrestimi i bosëve të mëdhenj të krimit në Shqipëri të mbështetur fort nga politika, pritet të sjellë zhvillime të forta sa i takon luftës kundër korrupsionit, duke bërë që të ngushtohet laku për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar. Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po bën gati fletë-arrestet për kryebashkiakë dhe drejtorë të lartë të përfshirë në abuzime me tenderat. Të rrezikuar janë emrat që janë lakuar së fundmi në abuzimet me tenderat, ku SPAK ka nisur dhe hetime. Duke nisur nga inceneratorët, ku në dosjen që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme janë të përfshirë politikanë të lartë, ka dalë në skenë edhe emri i ministres aktuale të Bujqësisë, Frida Krifca i Arben Ahmetajt dhe i Damian Gjiknurit. Krifca, e cila gjatë kohës që ishte drejtuese e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), ka dhënë 2.2 milonë Euro për dy biznesmenë të lidhur me aferën e inceneratorëve, të cilët do të ndërtonin sera. Emër tjetër nën “shënjestër” nga SPAK është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili dyshohet për shpërdorim detyre në tenderin e sterilizimit dhe check up. Gjithashtu, për skandalet e koncesioneve të hemodializës, check-up dhe sterilizimit, rrezikon edhe ish-sekretari i Ilir Beqajt, Alfred Çareri. Arrestimet e bujshme i ka paralajmëruar dhe kryetari i SPAK, Arben Kraja. Ai tha se Prokuroria Speciale ka hetime proaktive dhe 80 e personave që po hetohen nuk e dinë. Pra nga dita në ditë, priten lajme “bombë” nga drejtësia e re për politikën shqiptare.
Kraja i përgjigjet Alibeajt për ndërhyrjet e Ramës ndaj SPAK
Ditën e djeshme, në komisionin e Ligjeve, ndërsa ka prezantuar punën e Prokurorisë së Posaçme për vitin 2021, shefi i SPAK Arben Kraja ka ritheksuar se prokurorët vijojnë angazhimin e tyre, pavarësisht deklaratave dhe retorikës politike. Pyetjes së deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj se a po ndërhyn Edi Rama në SPAK, Kraja iu përgjigj se ata zbatojnë vetëm ligjin. Sipas tij, prokurorët e SPAK të ndodhur nën monitorim të publikut dhe institucioneve të tjera, nuk ndikohen deklaratat publike. “Pyetja e dytë, në javët e fundit ka ndodhur që ka pasur deklarime politike të pushtetit, nga kryeministri, ministri i Drejtësisë, që kërkojnë t’ju tregojnë prioritetet, të vendosin agjendën. Kujtoj këtu deklaratat e kryeministrit në asamble e me radhë. Sipas opinionit tim kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejt e politikës në punët e drejtësisë. Juve konsideroni që kjo është një ndërhyrje në punën tuaj dhe a rrënon sipas konsideratave tuaja vlerësimin e publikut te veprimtaria juaj”, e pyeti Enkelejd Alibeaj. Kraja tha se SPAK ushtron vetëm funksionet. “Ka qenë bashkëpunim i mirë, kemi pasur mbështetje. Unë nuk dua të komentoj sepse smë takon mua të bëj analiza të tilla. Ne kemi parim dhe standard që kemi vendosur të mos ndikohemi nga deklarimet publike. Gjithsecili ka të drejtën e tij të shprehë opinione, ndërsa ne duhet të jemi korrekt me ligjin, këtë parim kemi ndjekur. A duhet një nen për ta ndaluar këtë? Ka qenë diçka e parashikuar, u hoq më pas. Është në dorën tuaj, ne i ushtrojmë funksionet. Nuk është diçka shqetësuese për ta kthyer në nismë ligjore”, u përgjigj Kraja.
Shefi i SPAK i përgjigjet Majkos për hetim ndaj Berishës
Kreu i SPAK, i ka dhënë përgjigje edhe pyetjes së deputetit socialist Pandeli Majko, nëse shpallja ‘non grata’ e personave në Shqipëri, a është një indice për të nisur hetim? “Numri i procedimeve penale është i ulët. Cilat janë masat që keni marrë kur keni pas rrjedhje të sekretit hetimor? Si e ka çmuar nga këndvështrimi i kompetencave ligjore shpalljen non grata të një zyrtari ligjor? A keni mekanizëm për koordinimin e institucioneve ligjore? Nuk ka informacion të plotë për çështjet administrative, a keni ju një metodologji prioritetesh në punën tua. Raporti nuk qartëson edhe qëndrimet ndaj ndërkombëtarëve të SPAK”, tha Majko. Kraja u shpreh se nuk mund të përgjigjet, pasi ligji u ndalon të komentojnë vendimet e institucioneve të tjera, kombëtare apo ndërkombëtare. “Numri i veprave penale janë të detajuara në tabela. Pa diskutim opinionin e partnerëve apo Kuvendit e vlerësojmë për të ndërtuar punën tonë në sensin e prioriteteve, kodi i procedurës penale detyron ndjekjen për çdo rast. Për çdo kallëzim prokurori është i detyruar të japë zgjidhje ligjore, ata janë të pavarur në bazë të ligjit, prioritete kanë të bëjnë dhe me ngarkesën apo personat e arrestuar. Rrjedhja e sekretit hetimor nuk është në kompetencën tonë, nuk kemi pasur hetim konkret përjashtuar vetëm një rast, që është në gjykim sot. Kësaj pyetjes për shpalljen non grata nuk të jap përgjigje se kemi të ndaluar me ligj të flasim për vendime të institucioneve të tjera”, u përgjigj Kraja,
Xhafaj mesazh të fortë për SPAK
Për deputetin Fatmir Xhafaj, puna e bërë nga SPAK është për t’u vlerësuar, por ai ka thënë se ka mjaft praktika që duhen ndryshuar në punën e prokurorëve. “Hetimi ka efekt parandalues për shoqërinë, në mënyrë që të bëjmë politika shtetërore. E mbështes punën e SPAK, kam qenë pjesë e reformës në drejtësi. Prokurorët e SPAK të ndahen nga përvoja e prokurorit të krimeve të rënda, nga praktika e ndjekur. Nuk kanë pasur këtë mbështetje. Duhet të iki koha kur një oficer bën 20 kallëzime në ditë, kur shërbejnë si sekserë, apo kur drejtuesi i prokurori kontrollon praktikën e dosjeve”, u shpreh Xhafaj. Lidhur me sulmet që i bëhen SPAK nga politika, Xhafaj tha: “Sot askush nuk është i varur më dhe nga asgjë është i ndaluar me ligj por nëse dëshiron të varet vet kjo është çështje tjetër e kjo duhet të na shqetësojë. Unë uroj që ju e kolegët t’i kenë shpëtuar tashmë tundimit të shkëmbimit të interesave me të tretët, por puna do e provojë këtë gjë se kjo ka qenë një nga problemet kryesore”, u shpreh ndër të tjera Xhafaj.
Fakti.al