Në dosjen e plotë të SPAK, është zbardhur edhe ngjarja e ndodhur në Elbasan, ku Nuredin Dumanit i është bërë një atentat, gjë që çoi më pas në arrestimin e tij në Fier. Ngjarja në fjalë ndodhi më 29 mars të këtij viti në fshatin Papër të Elbasanit, ku u dëgjuan të shtëna me armë zjarri dhe më pas u gjet një makinë e braktisur në zonë. Në dosjen hetimore thuhet se Dumani ishte nisur për të vrarë Elton Kilën, i njohur i Oti, ndërsa porosinë e kishte marrë nga Suel Çela.
Gjatë kërkimeve për Nuredin Dumanin, u arrestua Henrik Hoxhaj, ku nga kontrolli fizik i këtij shtetasi është konstatuar një “pistoletë” me krehër brenda i mbushur me 8 (tetë) copë fishekë. Nga këqyrja e banesës së shtetasit Nuredin Dumani rezultoi se, kjo banesë ndodhej në lagjen Apollonia në qytetin e Fierit, në katin e katër të një pallati 9 katësh. “Brenda në banesë, para hyrjes së dhomës së gjumit u gjetën dy qese të mbushura me kartopeceta disa prej tyre të lagura dhe të gjitha të ndotura me një lëndë të kuqe si ato të gjakut. Pas qeseve u gjet një bluzë pambuku me ngjyrë të errët, e cila në pjesën e pasme ka dëmtime rrethore. Nga këqyrja në brendësi e dhomës së gjumit, mbi një pupë u gjet një çantë ku në brendësi të kësaj çantë u gjet një armë zjarri e llojit automatik. Kjo armë është e pajisur me shënjestër optike. Ngjitur me pupën ku është gjetur qesja e mësipërme është gjetur një çantë meshini ngjyrë e zezë e markës LuisViton, dhe brenda saj një krehër arme zjarri si ato që përdoren nga automatikët model 56 kalibër 7.62 me fishekë brenda. Po në këtë çantë u gjetën 9 fishekë model 54 kalibër 7.62mm, një palë doreza gjysmë në pjesën e gishtave. Më xhepin e kësaj çante janë gjetur disa medikamente mjekësore. Në banesë u gjetën disa telefona. Në tavolinë është gjetur një çantë e zezë me rrip dhe brenda saj një palë dylbi, një karikues dhe një bateri për dylbitë. Në sallon mbi divan është gjetur një çantë krahu ku brenda së cilës kishte një pasaportë, lëshuar nga shteti Kosovës, në emër të Valentina Hajdini, një leje drejtimi në emër të Valentina Hajdini lëshuar nga shteti Kosovës, një letërnjoftim lëshuar nga shteti Kosovës në emër të Mirjetë Hajdini. Në një xhep të portofolit janë gjetur 18 copë kartëmonedha me prerje 50 Euro. Nga këqyrja e automjetit me targë AA560VN, e markës Mercedes Benz, me ngjyrë të gri, janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale: Një armë zjarri model BUL M-5 m, me një krehër në folenë e saj me 16 fishekë kalibër 10mm. Gjithashtu një karikator tjetër arme zjarri me 16 fishekë. Një karikator arme zjarri me 16 fishekë kalibër 10 mm, 33 kartëmonedha prerje 50 euro, në shumë të përgjithshme 1650 euro, një leje drejtimi ne emër te Henrik Hoxhaj, një pasaportë në emër të shtetasit Henrik Hoxha, dy thika metalike. Një jelek ngjyrë blu me mbishkrimin HUGO BOSS dhe një pulovër me zinxhir me ngjyrë të zeze me mbishkrimin HUGO të dyja të dëmtuara në pjesën e pasme, si dhe disa objekte të tjera për përpunime në kushte laboratorike.”, thuhet në dosje.
Në dosje po ashtu tregohet edhe njohja e Henrik Hoxhajt me Dumanin, ku ushtari i tij ka treguar se si janë takuar për herë të parë.
“Me Nuredinin është takuar para 3-4 vitesh. Nuredinin e kam njohur tek ditëlindja e një mikut tonë të përbashkët. Njohja ime me Nuredinin ka qenë graduale dhe me kalimin e kohës unë e kam forcuar lidhjen time me të. Gjatë periudhës 3-4 vjeçare kontaktet nuk i kemi pasur të shpeshta me përjashtim të rasteve kur Nuredini më kërkonte ta ndihmoja për të bërë ndonjë punë periudha në të cilat i kemi shpeshtuar kontaktet dhe lidhjet me njëri tjetri..Nuredini ka ardhur nga Kosova që të mbaronin një punë për të cilën e kishte porositur më parë…. Konkretisht rreth 15-20 ditë para se të vinte Nuredini më ka shkruar mesazh në telefon duke më dërguar foton e një personi në Elbasan emrin e të cilit nuk e di por më ka treguar se ai kishte një pikë shitje automjetesh në krah të një karburanti dhe mobilierie. Më tej Henriku ka shpjeguar se ka vajtur disa herë në Elbasan që të vriste personin foton e të cilit ia kishte dërguar Nuredini me foto. Nuredini i ka premtuar se do të paguhej 70 000 Euro…Pasi ka studiuar terrenin e ka parë të vështirë që ta vriste vetëm këtë person dhe në këtë mënyrë ka ardhur Nuredini që ta kryenin bashkë vrasjen. Më datë 26.03.2022 kanë vajtur me Nuredinin për të vrarë personin në fjalë por nuk e kanë parë. Më tej Henriku shpjegon se kanë vendosur të shkojnë në Elbasan në datën 29.03.2022 për të mbaruar punën…. Ne jemi nisur nga Fieri rreth orës 09.15, unë dhe Nuredini, ai me BMË X5 me targa AA…. dhe unë me automjetin Benz me targa AA…. Unë isha para BMË për të hapur rrugën dhe Nuredini pas meje. Para se të niseshim, Nuredini ka futur në automjetin BMË X5 dy automatikë kallashnikov me fishekë në fole dhe dy pistoleta. Unë kam ndaluar për ti hedhur benzit tim karburant në një karburant që nuk kishte kamera. Kam hedhur 30 mijë lekë naftë ndërsa Nuredini në këtë kohë ka parkuar në rrugë para karburantit tek një xhep rruge.
Pasi hodha naftën unë jam nisur për destinacion dhe rreth orës 11.30 kam arritur në Elbasan. Unë vazhdoj për në qytet duke marre unazën dhe jam kthyer tek një karburant, ndërsa Nuredini me BMV e tij ka qëndruar tek vendi ku rrinte zakonisht tek kryqëzimi Cërrikut. Nuredini do të qëndronte aty derisa unë ta njoftoja që kisha në sy personin qe do të vrisnim. Në ikje e sipër kam kaluar para vendit ku shet makina personi qe do vrisnim dhe nuk e kam parë të ishte aty dhe për këtë arsye kam futur makinën time për ta larë tek një lavazho që është përballë me servis “Kadiun” dhe vetë jam ulur në lokal për të pirë një birë. Kam qëndruar tek lokali rreth një orë e gjysmë dhe më pas bëra një xhiro me makinë duke kaluar para pikës së shitjes së makinave të personit që do të vrisnim me qëllim për të parë nëse personi ishte aty, por nuk e kam parë personin aty dhe kam vazhduar rrugën për qytet dhe më pas jam kthyer dhe kam shkuar për të ngrënë diçka tek lokali tek Rotondo në hyrje të Elbasanit. Gjatë kësaj kohe unë i thashë Nuredinit se nuk e kisha parë personin që do vrisnim, por kam fiksuar një benz të parkuar aty jashtë dhe e kam pyetur Nuredinin nëse personi që ne kërkonim kishte apo jo benz, por ai më tha që donte parë ai mjet. Unë e pashë mjetin, por nuk fiksova persona dhe kam njoftuar Nuredinin për faktin. Duke parë këtë gjë mosgjetjen e personit që ne kërkonim unë jam ulur për të ngrënë buke siç thashë ku kam qëndruar për një kohë të gjatë, dhe më pas jam çuar dhe kam ikur me mjetin Benz përsëri tek lavazho te “Kadiu”. Qëndrova tek lavazhi dhe e lava përsëri mjetin nga jashtë për të shtyrë kohën dhe ndërkohë që automjeti po lahej vazhdoja komunikimin me mesazhe me Nuredinin. Ai më ka thënë se vazhdonte të qëndronte aty ku e kisha lënë në fillim tek kryqëzimi Cerrikut. Në një moment Nuredini më pyeti me sms duke më thënë që edhe kjo ditë na iku bosh. Pas këtij mesazhi unë kam qëndruar edhe rreth 10 minuta dhe jam nisur drejt Nuredinit, vendit ku ai kishte parkuar automjetin. Rrugës për aty më ka ndaluar policia rrugore dhe sapo më lanë të lirë policët nga Nuredini më ka ardhur sms ku më ka njoftuar të shkoja ta merrja se e kishin plagosur. Unë nuk kam arritur ta pyes se çfarë ndodhi, por kam ecur drejt tij. Unë kam konstatuar mjetin BMV X5 të dëmtuar anash rrugës në krahun e majtë timin me drejtim Elbasan Peqin anash një restoranti. Ndalova tek mjeti duke marrë kthesën dhe kam shkuar direkt paralel me mjetin BMV. Aty kam parë se mjeti BMV i kishte gomat dhe disqet e dëmtuara pashë shishen e benzinës së hapur dhe kam spërkatur pak me të me qëllim djegien e mjetit BMV, por nuk kam mundur ta ndez. Gjithashtu kam fiksuar Nuredinin i ulur tek sedilja e parë e pasagjerit të mjetit BMV me këmbën e djathtë të zbritur poshtë dhe po lëvizte me vështirësi por unë e kam kapur nga sqetullat për ta lëvizur pasi kishte dhimbje sepse më tha se ishte plagosur në kurriz. Unë e kam futur Nuredinin në makinën Benz tek sedilja prapa nga ana pasagjerit dhe kur po e fusja në makinë kam parë se ai në xhepin e djathtë kishte një armë zjarri pistoletë model izraelit Boll-5 si dhe në sediljen e parë të pasagjerit ku ai ishte ulur gjendjen pistoleta model TT të cilën unë e kam futur në brezin tim. Unë nuk kam fiksuar brenda mjetit BMË dy automatikët kallashnikov që kishte vendosur tek makina BMË Nuredini para se të niseshim. Mora TT e futa në brez, mora dhe armën Izraelite e lashë në makinë. Pasi hipa Nuredinin në makinë me shpejtësi jam nisur drejt Fierit pa ndaluar në asnjë vend. Rrugës e kam pyetur Nuredinin se kush i kishte shtënë me armë dhe ai më ka thënë se një mjet Benz me targa të Elbasanit të vjetra ku ndodheshin tre persona me maska i kishin shtëne me armë në befasi. Direkt nga Elbasani kam shkuar tek shtëpia në Fier dhe me vështirësi e kam futur Nuredinin në ashensor dhe më pas tek shtëpia ku ishte e dashura e tij. Kur e futa në shtëpi e kam zhveshur Nuredinin dhe pasi u zhvesh ai filloi të villte. Menjëherë duke parë gjendjen e Nuredinit kam dalë dhe kam kërkuar për ndihmë mjekësore ku kam gjetur shtetasit Bledar Berdalli, dhe dy tjerët nuk i njoh me emër të cilët i kam të njohur në qytet dhe janë me profesion mjek e infermier. Të tre ata kanë ardhur tek shtëpia dhe i kanë dhënë ndihmën mjekësore Nuredinit për sa kishin mundësi dhe më pas janë larguar. Rreth orëve të mbrëmjes orën e saktë nuk e di mua më ka kapur policia në trotuarin para pallatit ku ishte Nuredini dhe në brez më ka gjetur armën TT që kisha marrë nga makina e Nuredinit. Më pas kam parë që policia u fut edhe te hyrja e pallatit ku ishte Nuredini. Unë jam shoqëruar në polici dhe nuk fiksova gjë tjetër se çfarë ndodhi aty.”, mësohet të jetë shprehur Hoxhaj.
Ndërkohë, Nuredin Dumani në lidhje me këtë ngjarje ndër të tjera ka shpjeguar se ka qenë Suel Çela që i ka kërkuar që të vrasë shtetasin e thirrur Oti. Sipas tij, Sueli i çonte foton e Otit në telefon. “Duke qenë se Henriku nuk po e gjente Otin Nuredini ka ardhur vetë nga Kosova. Në deklarimet e tij shtetasi Nuredin Dumani ka shpjeguar hollësisht rrethanat lidhur me këtë fakt penal dhe personat e përfshirë në kryerjen e këtij akti.
Prokuroria parashtron se: Lidhur me këtë fakt penal të hetuarit Nuredin Dumani, Marjus Lulaj (Suel Çela) dhe Henrik Hoxhaj, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Elton Kila (i thirrur Oti), kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale””, thuhet në dosjen e SPAK.