Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI) ditën e sotme iu ka bërë thirrje ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës që ta pranojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizëm, dhe ta dërgojnë atë në Asamblenë Parlamentare.
Gjithashtu, po ditën e sotme në një deklaratë të titulluar: “Sërish 47? Rusia jashtë, Kosova brenda”, drejtuesit e ESI, Gerald Knaus dhe Kristof Bender, kanë kërkuar që vendimi të merret në takimin e Torinos në Itali në datën 20 maj.
Në atë mbledhje kujtohet se për dërgimin e Kosovës në PACE mjaftojnë dy të tretat e votave të pjesëmarrësve, që i bie 31 nga 46 vende anëtare të KE. Kjo derisa 34 prej tyre e kanë njohur Kosovën. Si e tillë përmendet edhe Italia që tani është kryesuese e Komitetit të Ministrave.
ESI vlerëson se Kosova, pavarësia e së cilës u konfirmua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, është rrëfimi i kundërt i Rusisë që së fundmi u përjashtua nga KE.
Së fundmi, në deklaratën e bërë thuhej se ndryshe nga Rusia, Kosova ka shënuar bartje paqësore të pushtetit në zgjedhje të lira.
“Ndryshe nga Rusia, Kosova ka shënuar bartje paqësore të pushtetit nëpër zgjedhje të lira dhe të pranueshme. Ndryshe nga Rusia, Kosova e pavarur nuk ka pasur asnjëherë të burgosur politikë. Ndryshe nga Rusia, Kosova asnjëherë nuk ka nxitur lufta”.