Sot mësohet se humbi jetën autori i zjarrvënies, Lefter Canaj, ndërsa një ditë më parë humbën jetën në ambientet e spitalit pacientet Sanie Sulaj nga Mamurrasi dhe Hanife Mali nga Laçi, të cilat ishin duke marrë shërbimin në pavionin e hemodializës.
Ngjarja e rëndë dhe e paprecedentë ndodhi mesditën e së hënës në brendësi të pavionit, teksa pacienti Lefter Canaj, 57 vjeç, ka nxjerrë nga qesja një bidon me benzinë dhe ka spërkatur pacientin tjetër Dashamir Saraçi, 47 vjeç, duke i vënë zjarrin.
Policia sot deklaroi se autori i krimit ishte Lefter Canaj, banues në Tiranë ndaj të cilit ishte prerë fletëarrest dhe konfirmoi tezën e shishes me benzinë dhe tentativës për të djegur pacientin.
Motivet e sherrit që sollën ngjarjen tragjike ende nuk dihen ndërsa dëshmitarët flasin për një skenë të tmerrshme.
Më poshtë paraqitet video nga momenti i vënies së zjarrit nga autori.
Në video duket qartë momenti, kur autori i tragjedisë, Lefter Canaj, pacient në spital i hedh benzinë dhe i vë flakën pacientit tjetër, Dashamir Saraçi.
Mësohet se më herët mes dy pacientëve ka pasur një konflikt dhe shkak dyshohet të ketë qenë rradha për marrjen e shërbimit të hemodializës.