Ditën e sotme policia e Vorës ka zbuluar gjatë operacionit policor të koduar “Hill”, një banesë e cila ishte përshtatur për kultivimin lëndësh narkotike, të llojit kanabis sativa. Gjatë këtij operacioni ka arrestuar në flagrancë 33-vjeçarin me iniciale F. B., banues në Peqin.
Mësohet se mbi 33-vjeçarin rëndonin akuzat për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” dhe “Përdorimi i paligjshëm i teknologjisë së lartë”.
Gjithashtu, lidhur me këtë çështje janë proceduar penalisht edhe dy shtetasit me iniciale A. Gj., 32 vjeç, banues në Don Bosko, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe qytetari me iniciale Sh. D., 55 vjeçe, banuese në Vorë, me detyrë faturiste pranë OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Gjatë kontrollit të banesës së marrë me qira nga shtetasi F. B., shërbimet e Policisë kanë evidentuar një ambient me pajisje të ndryshme elektrike, që po përshtatej për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave, që furnizoheshim me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Shtetasi A. Gj. ishte në dijeni të këtij aktiviteti kriminal dhe nuk ka kallëzuar krimin, ndërsa punonjësja e OSHEE-së, shtetasja Sh. D. nuk ka konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në këtë banesë.
Gjatë zhvillimit të operacionit janë gjetur dhe sekuestruar ventilatorë, platforma për shpërndarjen e rrymës elektrike, vazo të ndryshme, peshore elektronike dhe pajisje të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit cannabis sativa dhe dy aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.