Policia e Fierit ka realizuar me sukses operacionin policor e koduar “Gjurmë”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të pastrimit të parave ku janë sekuestruar 87 mijë euro gjatë kontrollit të makinës tip “Benz”.
Sipas policisë, 30-vjeçari që drejtonte mjetin nuk kishte dokumentacion që vertetonte burimin e ligjshëm të parave. Nga veprimet hetimore dyshohet se shuma e parave është përfituar nga aktivitete të kundërligjshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik në Fier proceduan penalisht shtetasin G. R., 30 vjeç, banues në Vlorë për veprën penale “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe automjeti me të cilin udhëtonte ky person ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.