Është arrestuar, efektivi i policisë në Vlorë Lisjan Myrtaj, pasi një ditë më parë u përfshi në një konflikt me armë zjarri me Juxhino Todin djali i kryeplakut të Kaninës.
Myrtaj do të përballet me akuzën për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Gijotina.com më herët raportoi se ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme. Në lagjen “10 Korriku”, në konflikt u përfshinë Juxhin Todi alias Aliaj dhe Lisjan Myrtaj. Todi, i shoqëruar nga e dashura e tij, doli nga banesa dhe në hyrje të pallatit Myrtaj efektiv i forcave DELTA ka shtënë në drejtim të tyre.
Efektivi është shprehur se ka patur më parë një debat me Juxhin Todi (Aliaj) e se sapo e kishte parë e ndaloi pranë banesës së tij, i ka drejtuar armën duke e ofenduar dhe e ka shkrepur dy herë. Sipas tij kjo ka bërë që ai të reagojë për vetëmbrojtje duke goditur në drejtim të makinës. Ai ka telefonuar sallën operative dhe ka pritur që të mbërrinin kolegët e tij duke mos lëvizur nga vendngjarja.
Myrtaj i ka deklaruar kolegëve se ka goditur për vetëmbrojtje dhe se është ndjekur deri jashtë derës së shtëpisë së tij. Sipas policit, Aliaj i cili udhëtonte me fuoristradën ‘ML’ ishte arratisur menjëherë ndërsa sipas efektivit të Deltës kur i ka shkuar Juxhinit në shtëpi ai ka qenë i vetëm. Motiv i debatit sipas burimeve ka qenë akuza e Juxhinit se efektivi i policisë i kishte parë të dashurën më parë.
Pas hetimeve në vendin e ngjarjes u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri e llojit pistoletë, 7 gëzhoja 9 mm, të cilat dyshohen se i përkasin armës së punonjësit të policisë, Lisi Myrtaj, 3 fishekë, model 54, mjeti tip Benz Mercedez dhe pamjet filmike nga kamerat e ambjenteve në zonën ku ka ndodhur ngjarja.