Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të martën të kërkojë nga Komisioneri Publik një analizë financiare të re për pasuritë e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Dritan Banushi.
Banushi u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në janar të vitit 2020, por vendimi i konfirmimit të tij u ankua nga Komisioneri Publik që pretendon se KPK ka arritur përfundim të gabuar sa i përket vlerësimit pozitiv të Banushit në kriterin e pasurisë.
Në seancë gjyqësore në KPA, Komisioneri Darjel Sina kërkoi prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin e Banushit nga detyra, për shkak se “nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë”.
Banushi, i cili u mbrojt nga avokati Viktor Gumi, i kundërshtoi gjetjet e Komisionerit. Gumi i kërkoi Kolegjit rihapjen e hetimit gjyqësor dhe pranimin e 20 provave të reja, që sipas tij mbështesnin përfundimet e arritura nga KPK.
Ankimi ndaj Banushit po shqyrtohet nga një trupë e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Mimoza Tasi, Sokol Çomo dhe Rezarta Schuetz.
Debati mbi kursimet
Komisioneri Darjel Sina tha në seancë se bazuar në analizën e bërë nga Komisioneri Publik, Banushi nuk mbulonte me të ardhura të ligjshme kursimet e pretenduara minimalisht në shumën 3.3 milionë lekë.
Sipas Sinës, bazuar në dokumente dhe deklarimet e përvitshme të gjyqtarit, ku i fundit nuk kishte deklaruar saktësisht shtesat dhe pakësimet vjetore. Sina thotë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka pranuar si të mirëqena pretendimet e subjektit, por në arsyetimin e tij kjo binte ndesh me precedentët e vendosur më herët në Kolegj.
“Legjislacioni në fuqi ka qenë i qartë, duke parashikuar që këto deklarata përbëjnë dokumente zyrtare dhe subjekti duhet të deklarojë në formën e përcaktuar prej tyre. Forma e deklarimit nuk është trajtuar prej ligjit si një detyrim alternativ, i cili mbetet në vullnetin e subjektit, por si një detyrim i mirëpërcaktuar, i cili duhet respektuar,” tha Sina, duke iu referuar mënyrës se si subjekti i kishte justifikuar deklarimet.
Avokati Gumi pretendoi se analiza financiare e bërë nga Komisioneri bazohej mbi një lapsus të transferimit të analizës së kryer nga KPK nga programi excel në word. Gumi lexoi në seancë një sërë ndryshimesh në shifra që sipas tij nëse merreshin nga të dhënat në excel e bënin të papërfillshme diferencën negative.
Por Gumi pranoi gjatë parashtrimeve mosdeklarimin si shtesë dhe e ardhur e mbartur të një shume prej 450 mijë lekësh nga shitja e një makine. Gumi këmbënguli se kjo shumë duhej të konsiderohej si e mbartur në vitin pasardhës, duke pretenduar se ajo ishte përdorur sërish për blerjen e një makine të re dhe për këtë nuk ishte deklaruar si kursim i familjes.
Po ashtu palët debatuan mbi të ardhurat e vajzës nga dhurimet prej të afërmve. Komisioneri Publik vuri në dyshim ligjshmërinë e tyre, pasi mungonin provat, ndërsa Gumi këmbënguli se ato ishin të ligjshme dhe kërkoi të merreshin në konsideratë.
Sa i përket këtyre çështjeve, Kolegji pas një diskutimi në dhomë këshillimi i kërkoi Komisionerit Publik të paraqiste një analizë të re financiare bazuar edhe mbi provat e reja të paraqituara në seancë. Kolegji kërkoi që analiza të ishte gati deri në datën 10 maj.
Ndryshimet në prova
Çështja e dytë e ngritur nga Komisioneri Publik në ankim ndaj Banushit ishte mungesa e të ardhurave të prindërve për të blerë një apartament 85 metra katrorë në Gjirokastër. Siç doli nga diskutimet e palëve, debati u fokusua nëse apartamenti ishte blerë karabina e për rrjedhojë me një çmim rreth 800 mijë lekë apo i përfunduar me çmim që sipas Entit Kombëtar të Banesave ishte minimalisht 2.9 milionë lekë.
Sina në pretendimet e tij tha se shkresat nga një sërë institucionesh dhe një akt kolaudimi tregonin se pallati ishte përfunduar në kohën e blerjes dhe se çmimi që duhej marrë parasysh ishte 2.9 milionë lekë. Ai tha se prindërit e subjektit nuk kishin të ardhura të mjaftueshme dhe se pretendimet e Banushit për të ardhurat e tyre nga blegtoria e të ngjashme nuk justifikonin kursimin e shumës në fjalë.
“Totali i të ardhurave (hipotetike) nga paga minimale, për të cilën janë paguar kontributet për këtë periudhë, e që rrjedhimisht do të mund të konsiderohen si të ardhura të ligjshme, është në vlerën 1.414.680 lekë, shumë e cila do të rezultonte e pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për apartamentin në të gjitha variantet e trajtuara në ankim,” tha Sina.
Por Gumi në mbrojtjen e lexuar në seancë këmbënguli se akti i kolaudimit që e tregonte pallatin të përfunduar në kohën e transaksionit ishte fiktiv. Ai këmbënguli se një prej apartamenteve në pallat vijonte të mos ishte i përfunduar dhe paraqiti një ekspertizë nga një inxhinier, që sipas tij e provonte faktin se apartamentet nuk kishin qenë të përfunduara në momentin e blerjes.
Gumi solli si provë edhe praktikën e plotë për këtë pallat marrë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, duke referuar mungesën e raportit të mbikëqyrësit të punimeve në të dhe kontrollit teknik nga bashkia. Por relatorja Albana Shtylla në një pyetje drejtuar subjektit vuri në dukje se dosja e ASHK-së e dorëzuar prej tij kishte brenda saj një kontratë noteriale të ndryshme nga dosja e marrë në dorëzim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë hetimit.
Shtylla e pyeti Banushin nëse ai ishte në dijeni të këtij ndryshimi në dokumente. Banushi tha se nuk kishte dijeni, ndërsa këmbënguli se ai kishte kërkuar dosjen e plotë, pasi nuk e kishte pasur më herët.
Avokati Gumi ndërkohë solli si prova të ekonomisë blegtorale të prindërve të subjektit dokumentet e vaksinimit të bagëtive të imëta në tre vite para vitit përkatës. Sipas Gumit, babai i subjektit kishte pasur nga 50 deri në 60 krerë bagëti. Gumi po ashtu solli si provë ditët e punës në kooperativën bujqësore dhe pretendoi se dy prindërit kishin kryer norma të larta pune dhe se bazuar mbi këtë punë, kishin përfituar nga ndarja e pasurisë së përbashkët të kooperativës.
Palët në proces dhe më pas edhe trupa e Kolegjit ranë dakord në seancë se denoncimet e depozituara nuk kishin prova për t’u hetuar. Megjithatë, në fund të seancës KPA vuri në dijeni palët se kishte marrë një denoncim të ri, i cili do të diskutohet në seancën e ardhshme që u caktua më 20 maj. /Birn