Tre gra janë mbyllur brenda një dyqani për gati një orë në Vlorë, ndërsa deklarojnë se pronarët e firmave që ndërtojnë pallatin nuk i janë përmbajtur aktmarrëveshjes që kanë bërë dhe nuk u kanë dhënë ç’ka ato pretendojnë në këtë ndërtesë.
Njëra nga gratë, rreth të 80-ve dhe dy rreth të 50-ve, kërcënojnë me vetëflijim, ndërsa edhe pas ndërhyrjes së policisë, ato refuzojnë të dalin jashtë ambientit duke kërkuar zbatimin e aktmarrëveshjes që kanë bërë para ndërtimit të pallatit.
Njëra prej grave tha se ka filluar të jetojë në dyqan, pasi nuk i është dhënë në mënyrë të drejtë nga ndërtuesit aktmarrëveshja. Ende po vijon tratativat me drejtuesit e policisë që gratë të dalin prej dyqanit.
Ndërkohë pranë xhamit, shihet edhe një bombol gazi, ndërsa shefi i komisariatit është duke tentuar që të bindë gratë të dalin. Ato thonë se kjo situatë vijon prej vitesh dhe kurrë nuk kanë arritur të marrin banesat që pretendojnë se u takojnë.
Sakaq, jashtë ambientit të lokalit ndodhet edhe bashkëshorti i një prej grave i cili shprehet se problemi qendron se ata kanë bërë një marrëveshje dhe nuk i kanë qëndruar marrëveshjes. Ai thotë se janë kërcënuar. Ai shton se ata sot flenë në një dyqan të kapur forcërisht dhe falë zotit policia nuk i ka nxjerrë jashtë prej 10 ditësh.