Qeveria ka vendosur ti japë të drejtën kryetarëve të njësive bashkiake për të përcaktuar administratorin e pallatit. Vendimi do të ekzekutohet në të gjitha rastet kur asambleja nuk arrin votat dhe kur kujdestarët nuk regjistrohen me licensë. Edhe tarifat e familjeve do të jenë me detyrim pasi marrin titull ekzekutiv.
Vendosja e një administratori në pallate tashmë do të jetë me detyrim. Qeveria ka propozuar ndryshimet në ligj, duke detyruar bashkitë që të krijojnë një libër të veçantë për ta, ndërsa çdo person që do zgjidhet administrator do të ketë detyrim të pajiset me nipt në QKB.
Në ligj parashikohet se nëse asambleja nuk mund të zgjedhë një person që do kujdeset për pallatin dhe të mbledhë të ardhurat atëherë do të jetë kryetari i njësisë vendore ai që do të përcaktojë emrin. Ky veprim do të jetë i detyrueshëm për të gjithë pronarët.
Edhe pagesat me dëshirë nuk do të lejohen më, drafti i hedhur për konsultim publik parashikon që tarifat do të jenë titull ekzekutiv. Pra, nëse një person do të refuzojë, apo do të argumentojë se nuk ka të ardhura, administrator mund të kërkojë ndihmën e policisëe për marrjen e shumës, apo edhe të nisë një proces gjyqësor.
Projekti parashikon dhe të drejtën e qiramarrësve për të qenë pjesë e asamblesë së pallatit ku diskutohet mbi zgjedhjen e administratorit, kryesisë, apo dhe shpenzimeve. Në këtë rast do të duhet që pronari i njësisë ti japë të drejtën e përfaqësimit me kontratë.
Por nëse administratori konstatohet se nuk respekton ligjin dhe realizon shpenzimet në kundërshtim me vendimin e asamblesë, atëherë mjafton një e dhjeta e asamblesë për ti nisur dhe një proces gjyqësor.