Dinamika e vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela, në 17 shtator të 2020 ka marrë një tjetër kthesë, pas pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë.
Ai nuk u ekzekutua nga një makinë në lëvizje siç është raportuar më herët. Siç e shihni edhe në foton e siguruar nga gijotina.com vrasja ka ndodhur në orën 05:54 minuta të mëngjesit, teksa Bujar Çela ishte i ulur jashtë një lokali me një person tjetër në tavolinë. Brenda këtij minuti autori i parë me një armë tip automatik në dorë është drejtuar me vrap nga Çela dhe e ka qëllua, por arma nuk është shkrepur.
Ai më pas ia bën me dorë bashkëpunëtorëve të tjerë të vijnë dhe të qëllojnë. Autori i parë largohet, ndërsa pas tij vijnë 3 të tjerë që e qëllojnë në trup dhe në kokë duke u siguruar që u vra.
Këto veprime janë kryer brenda 20-25 sekondave, duke hedhur poshtë dinamikën e parë të ngjarjes.
Krimi ndodhi në 17 shtator të vitit 2020, në një lokal në Bradashesh të Elbasanit.
Dyshohet se në këtë ngjarje, sipas kamerave të sigurisë njëri nga personat që ka qëlluar drejt Çelës, është Nuredin Dumani i cili i afrohet viktimës dhe e qëllon me pistoletë duke e lënë të vdekur.
Më pas Dumani së bashku me dy shokët e tij ende të paidentifikuar, janë larguar me makinë, të cilën e kanë djegur disa kilometra me larg vendit të krimit.
Ndërkohë identifikimi i tij, është arritur të kryhet përmes gjurmëve në një kartëmonedhë 50 euroshe, të sekuestruar në një pikë karburanti, ku autorët kishin mbushur me naftë automjetin që do përdornin për vrasjen e Bujar Çelës.