Dy ditë pas atentat të së shtunës në rrugën dytësore në Shijak, ndaj Orlando Pepkolës, djali i një oficeri policie, policia nuk ka identifikuar ende autorët që kanë qëlluar drejt tij.
Hetimet e deritanishme të Policisë së Durrësit në lidhje me atentatin nuk kanë dhënë rezultat, duke bërë që grupi i hetimit të mendojë edhe pistën e një ngjarjeje të sajuar për arsye ende të paqarta nga 31-vjeçari.
Grupi i hetimit që shkoi në vendin e ngjarjes për të kryer veprimet e para dhe për të grumbulluar prova materiale, tha për gazetën se kamionçina nuk është prekur nga asnjë plumb, ndërkohë që në vendin e ngjarjes u gjetën tri gëzhoja arme automatik tip kallashnikov.
“Nëse do të donin të qëllonin mbi objektivin, e kishin shumë të thjeshtë. Ishin vetëm katër pesë metra afër dhe, mbi të gjitha, me këtë afërsi, asnjë plumb nuk e ka goditur kamionçinën. Ai thotë se më bllokuan rrugën dhe më qëlluan drejt, por kjo nuk na rezulton. Ne po hetojmë në disa pista, si: konflikte të tij apo të të atit që punon si polic te burgu. Por si djali, ashtu edhe i ati, thonë se s’kanë konflikte të hapura. Në këto kushte, po hetojmë edhe pistën e tretë: atë të sajimit të ngjarjes për arsye ende të paqarta, por që mund t’i shërbejë këtij individi ndoshta edhe për të kërkuar azil”, thanë burime nga grupi i hetimit.
Pra uniformave blu, Pepkola ka thënë se ka qenë duke shpërndarë bombola gazi dhe oksigjeni me kamionçinë, kur një mjet tip “Golf”, pasi e ka ndjekur atë për 10 metra, pasagjeri që ndodhej në automjet, ka nxjerrë armën nga një thes dhe ka qëlluar në drejtim të tij, ndërsa është shprehur se nuk ka konflikte me askënd.